Është ish-kryeministri i Maqedonisë, Lupço Georgievski, i pari që akuzoi autoritetet e shtetit të Kosovës së kanë anashkaluar krerët e shtetit të Maqedonisë në shënimin e përvjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë, e ku i pranishëm në Prishtinë ishte edhe ish-presidenti amerikan Bill Klinton, dhe sekretarja shtetërore amerikanë atëkohë, Medlin Olbrajt
Shkup, 14 qershor – Krerët më të lartë të Maqedonisë së Veriut kanë qenë të ftuar në 20-vjetorin e hyrjes së NATO-s në Kosovë. Gazeta KOHA merr vesh se edhe kryeministri Zoran Zaev është ftuar nga autoritetet kosovare. Ftesa drejtuar Zaevit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut është dërguar më 17 prill, i firmosur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ndërkohë është Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë është përgjigjur më datë 9 maj, apo një muaj para 12 qershorit – ditën kur NATO shkeli në Kosovë.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut shpreh respektin ndaj Ambasadës së Republikës së Kosovës dhe në lidhje me ftesën drejtuar kryeministrit, shprehim falënderim dhe njëkohësisht na vjen keq që, për shkak të planifikimeve më herët të aktiviteteve që nuk munden të anulohen, kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk do të jetë në gjendje të përgjigjet pozitivisht në ftesën e presidentit Hashim Thaçi”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e MPJ-së drejtuar Ambasadës së Kosovës.
Në shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë, nga Maqedonia kanë marrë pjesë liderë të partive shqiptare nga Maqedonia, ndërsa nuk dihet nëse i ftuar ka qenë edhe presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski. Për shkak të festës sot, askush nga kabineti i Pendarovskit nuk ishte në gjendje të përgjigjet.
Në ndërkohë, është ish-kryeministri i Maqedonisë, Lupço Georgievski, i pari që akuzoi autoritetet e shtetit të Kosovës së kanë anashkaluar krerët e shtetit të Maqedonisë në shënimin e përvjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë, e ku i pranishëm në Prishtinë ishte edhe ish-presidenti amerikan Bill Klinton, dhe sekretarja shtetërore amerikanë atëkohë, Medlin Olbrajt.
“Në kremtimin me rastin e 20-vjetorit nga hyrja e NATO-s në Kosovë, siç e kam vërejtur, nuk ka pasur ftesë për një delegacion nga Maqedonia. Është një turp i madh për Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare. Të injorosh Maqedoninë dhe rolin e saj të mbështetjes së plotë logjistike të ndërhyrjes së NATO-s, krizës së refugjatëve dhe pasojave që kishte në vendin tonë. Dhe madje – fundi: pëlqimi që vetëm përmes Maqedonisë të hyhet me ofensivë tokësore. Më pas, ata na e kthyen me agresion ushtarak”, shkroi në profilin e tij në FB, ish-kryeministri Georgievski. (koha.mk)