Shkup, 15 shator – Komunat e Velesit, Koçanit dhe Ohrit më 15 tetor, në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, do të mbajnë referendum kundër vendosjes së refugjatëve në komunat e tyre. Zhive Katranxhiev nga partia e VMRO-DMPNE-së në Veles, thotë se përkundër apeleve të tyre, qeveria nuk ka marrë në konsideratë kërkesën për anulimin e planeve për ndërtimin e banesave sociale për vendosjen e refugjatëve, për të cilat fare nuk janë pyetur qytetarët. “Këshilli i komunës së Velesit solli vendim që më 15 tetor të mbaj një referendum në nivel lokal me pyetjen: “A jeni për vendosjen e migrantëve në territorin e komunës së Velesit?”, tha ai për të shtuar se rezultati nga referendumi do të jetë detyrues dhe si i tillë duhet respektuar. Përveç në Veles, më 15 tetor edhe qytetarët e Ohrit do të mund të deklarohen për të njëjtën pyetje. Me 13 vota për dhe dy abstenime, Këshilli i komunës së Ohrit ka votuar nismën dhe projektvendimin për të thirrur një referendum mbi çështjen e migrantëve. Vendimit i parapriu një debat i gjerë në të cilin këshilltarët e opozitës përsëritën mendimin se nisma për të thirrur një referendum është e pabazë, duke vënë në dukje se nuk ka refugjatë në Maqedoni, përveç një numri të vogël që tranziton këtej. Këshilli i komunës së Ohrit gjithashtu hapi çështjen e kompetencës së Këshillit për të marrë vendime të tilla. Në ditët e kaluara, edhe Këshilli i komunës së Koçanës, shpalli vendimin për mbajtjen e një referendumi në të cilin qytetarët e kësaj komune do të mund të deklarohen rreth mundësisë për vendosje të refugjatëve në komunën e tyre. Njëjtë si në dy komunat e lartpërmendura, edhe në Koçanë, referendumi do të mbahet në ditën e zgjedhjeve lokale në Maqedoni.Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska, lidhur me çështjen e vendosjes së refugjatëve në Maqedoni tha se nuk ka ndërtime të banesave të tilla, as që do të ketë në të ardhmen. “E kam thënë disa herë në media se kjo është gënjeshtër. VMRO-DPMNE-ja po plason lajme të rreme për të manipuluar opinionin përpara zgjedhjeve lokale. Referendumi është një mjet demokratik që unë si person e mbështes, por këtë e mbështet edhe qeveria”, tha ministrja Carovska. Ajo kërkoi që referendumi të mos mbahet në ditën e zgjedhjeve, sepse siç tha, ligji për zgjedhje por edhe ai për parandalim të korrupsionit thonë se mjetet që nuk janë paraparë me buxhet nuk guxojnë të alokohen në periudhë të zgjedhjeve.