Senati amerikan votoi për bllokim të urdhrit të Qeverisë së Barak Obamës, e cila rreth 75.000 personave me probleme psikike ua ndalonte të blejnë armë zjarri.
Pezullimi i masës tani shkon në shqyrtim tek presidenti Donald Tramp, i cili pritet ta nënshkruajë vendimin e ri, njoftuan mediat amerikane. Urdhri ishte tentim i Obamës që ta përforcojë kontrollin federal ndaj shitjes së armëve pas vrasjes së 20 nxënësve dhe gjashtë të rriturve në një shkollë fillore në qytezën Njutaun, në shtetin federal Konektikat. Një mashkull 20-vjeçar, i cili ka vuajtur nga sindromi i Aspergerovit dhe nga çrregullime obsesive-kompulsive, e vrau të ëmën e tij, me ç’rast shkoi në shkollë dhe e kreu vrasjen masive dhe pastaj bëri vetëvrasje. Urdhri i Qeverisë së Obamës kërkonte që administrata për sigurim social t’ia dërgojë emrat e personave me probleme mendore.
Por deputetët, me mbështetjen e Asociacionit kombëtar për armë zjarri dhe organizatat për të drejtat e njeriut e kundërshtuan masën dhe e nxitën Kongresin që të ndërmarrë procedurë për shfuqizim të saj. Urdhri mund të shfuqizohet kur të dy dhomat e Kongresit me shumicë të thjeshtë do të miratojnë rezolutë të përbashkët kundër tij dhe pastaj presidenti e nënshkruan. Senati me 57 vota “pro” dhe 43 “kundër” votoi për shfuqizim të urdhrit të administratës paraprake dhe tani i e pret aprovimin e Trampit.
Sipas kritikëve, masa në mënyrë të paarsyeshme shpif për këta njerëz dhe i vendos në pozitë jo të barabartë dhe është në kundërshtim me të drejtën e tyre kushtetuese që të mbajnë armë. “Në qoftë se ka shanse që një person konkret të paraqesë agresion për shkak të sëmundjes së tij mentale, Qeveria duhet këtë ta dëshmojë”, tha senatori republikan nga Arizona, Çarls Grasli, i cili ishte përfaqësuesi kryesor për shfuqizim të aktit normativ.