Me vendimin e fundit qeveritar, të punësuarit në sektorin privat edhe ato në punë shteti – do të marrin më pak rrogë në varësi prej ditëve që do të mungojnë nga puna. Kanë reaguar si mediat, ashtu edhe organizatat joqeveritare, ndërsa kanë akuzuar Qeverinë se me vendimin e fundit – nuk vendosen në pozita të barabarta të gjithë të punësuarit në vend
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 nëntor – Të punësuarit në administratë, në rast se janë të sëmurë nga Covid-19 dhe kanë test pozitiv, do të marrin pagë të shkurtuar gjatë shfrytëzimit të pushimit shëndetësor. Qeveria ditë më parë ka ndryshuar vendimin paraprak të para dy javëve, sipas të cilit, të punësuarit në punë shteti do tu paguhet në tërësi paga mujore . Mirëpo, me vendimin e fundit, edhe të punësuarit në sektorin privat edhe ato në punë shteti do të marrin më pak rrogë në varësi prej ditëve që do të mungojnë nga puna. Për këtë çështje në opinion kanë reaguar si mediat, ashtu edhe organizatat joqeveritare, duke theksuar se me vendimin paraprak – nuk vendosen në pozita të barabarta të gjithë të punësuarit në vend.
“Të gjithë të punësuarit që shfrytëzojnë pushim mjekësor deri në shtatë ditë ju mbulohet 70 për qind e pagës, deri në 15 ditë ju mbulohet 80 për qind e pagës dhe mbi 15 ditë ju mbulohet 90 për qind e pagës. Në 30 ditët e para, mjetet i siguron punëdhënësi, ndërsa pas një muaji mjetet i siguron Fondi Shëndetësor”, thotë ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, Jagoda Shahpaska. Sipas saj, tani qasja është e njëjtë për të gjithë. Jemi thirrur në ligjin dhe konstatimet e mëparshme qeveritare janë korrigjuar, shton ajo. Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se janë të befasuar me vendimin se nuk do të mbulohet 100 për qind e pushimit mjekësor për shkak të Covid-19, por mjetet do të shkurtohen nga paga , siç përcakton Ligji për marrëdhënie pune. Nga atje thonë se pas negociatave me qeverinë janë pajtuar që të mbulohet totalisht pushimi mjekësor. Edhe nga Konfederata e Sindikatave të lira kanë kundërshtuar vendimin që të mos paguhet 100 për qind pushimi mjekësor. Ata kërkojnë që të kthehet vendimi i vjetër. Kjo sindikatë thekson se nga fillimi i pandemisë, kanë kërkuar që Covid-19 të shpallet si sëmundje profesionale dhe apelojnë ndaj kompetentëve të azhurnohen vlerësimet për rrezikun në vendin e punës në bazë të dëmit biologjik sipas Ligjit për siguri dhe shëndet në punë dhe rregullores për dëme biologjike. Më 3 nëntor, Qeveria miratoi vendimin të mbulimit të pushimit mjekësor në tërësi të shkaktuar nga Covid-19 apo për shkak të vetë izolimit në sektorin publik dhe shtetëror të jetë obligativisht me 100 për qind, ndërsa sektorit privat i rekomandohet që mbulimi të jetë 100 për qind.
Një vendim i tillë solli edhe reagimin në opinion për qasjen jo të barabartë të të gjithë të punësuarve si në sektorin privat ashtu edhe atë publik apo shtetëror. Nga shoqata “Punëtori i zëshëm i tekstilit”, thonë se kërkesat e tyre shkojnë në drejtimin që të gjithë të punësuarit të kenë trajtim të barabartë sipas Kushtetutës dhe konventat e ratifikuara. “Angazhimet tona janë që edhe të punësuarit në privat të gëzojnë të njëjta të drejta si të punësuarit në sektorin publik, andaj jemi edhe kundër miratimit të vetëm ‘rekomandimit’ për pagesën e pushimit mjekësor dhe vetizolimit prej 100 për qind për sektorin privat”, thonë nga “Punëtori i zëshëm i tekstilit”. Ne, thonë më tej ata, angazhohemi që kjo të mos mbetet në nivel të rekomandimit por të realizohet me ndryshimin e ligjit apo me konstatim. Nga ana tjetër, edhe nga Komiteti i Helsinkit kërkon që pushimet mjekësore dhe vetizolimet të shkaktuara nga pandemia të rregullohen me ndryshime ligjore dhe në bazë të marrëveshjeve kolektive. (koha.mk)