Shkup, 15 nëntor – Deklaratë për zgjedhje të lira, korrekte dhe demokratike nënshkruan sot në prag të zgjedhjeve të parakohshme të ardhshme parlamentare, 22 degët rinore të partive politike në Republikën e Maqedonisë. Degët e partive politike rinore me Deklaratën obligohen se do të angazhohen për mbajtjen e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike dhe jo frikësimin e qytetarëve për ta dhënë votën e tyre për partinë e caktuar, për përmirësimin e klimës demokratike në procesin zgjedhor, për dënim publik të çdo akti të dhunës, si dhe për mospublikim të shpifjeve, fyerjeve dhe manipulimeve. Nënshkruesit, mes tjerash, obligohen edhe se do të angazhohen për largimin ose minimizimin e gjuhës së urrejtjes, se do të zhvillojnë fushatë të ndershme dhe korrekte dhe se nuk do ta largojnë materialin propagandues të partive tjera. Kryetari i degës rinore të BDI-së, Bekim Memeti, theksoi se partia çdoherë angazhohet për ndjekjen e parimeve në të cilat bazohet deklarata e nënshkruar. “Do të angazhohemi që zgjedhjet të jenë sa më korrekte dhe demokratike”, tha Memeti. Memetulla Demiri nga PDSH-ja theksoi se do t’i respektojnë dispozitat e deklaratës së nënshkruar. PDSH-ja do ta japë kontributin e saj dhe fushatat dhe zgjedhjet të jenë korrekte dhe demokratike. Biljana Janeva, drejtoreshë ekzekutive e Institutit Ohër, e cila është edhe organizatore e nënshkrimit të Deklaratës, theksoi se rëndësia e saj bazohet para së gjithash, siç tha, në faktin se politikanët e rinj janë gjithnjë e më të zëshëm në parti dhe shoqëri dhe se zëri i tyre gjithnjë e më shumë po dëgjohet. Kryetari i degës rinore të LSDM-së, Stefan Bogoev, pas nënshkrimit theksoi se ata në këtë mënyrë obligohen të tregojnë pjekuri dhe shembull si mund dhe si duhet të zhvillohet fushata zgjedhore. Shtoi se si rini politike duhet së bashku të luftojnë për më shumë të rinj në listat e kandidatëve. Vlladimir Nelovski, kryetar i Unionit të të rinjve të VMRO-DPMNE-së, theksoi se pajtohet me të gjitha pikat në Deklaratë dhe se ashtu do të sillen. Shpresoj, shtoi ai, se kjo fushatë do të jetë garë e ideve dhe projekteve, e jo e gënjeshtrave dhe manipulimeve. Kjo është hera e dytë që degët rinore të partive politike të nënshkruajnë një Deklaratë të tillë. Për herë të parë dokument i tillë u nënshkrua në vitin 2014 para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe presidenciale.