Edhe të papunë, edhe të patrajnuar!

Njohësit e kësaj problematike thonë se papunësia e të rinjve mund të zbutet me rikualifikimin e një pjese të caktuar të kuadrove që vështirë gjejnë punë, uljen e nivelit të personave që punojnë në të zezë si dhe vendosjen e sistemit të mësimit të përjetshëm

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 17 prill – Maqedonia e Veriut renditet ndër shtetet që kanë papunësi më të lartë të rinjve të papunë dhe të pa trajnuar. Sipas analizave të Organizatës Ndërkombëtare të Punës për vitin 2018 e para në listë për kah shkalla më e lartë e të rinjve të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk po ndjekin shkollën apo ndonjë trajnim, është Shqipëria me 32.8 për qind,e pasuar nga Moldavia me 27.8 për qind, shkruan gazeta KOHA.

Papunësia e të rinjve si fenomen negativ shoqëror po brengos tërë rajonin, ku në Bosnje e Hercegovinë përqindja e të rinjve të papunë është 26.4 për qind, ndërsa në Maqedoni ky tregues negativ është 24.9 për qind. Shkallë të lartë të papunësisë rinore shënon edhe Serbia me 23.8 për qind si dhe Turqia me 24.2 për qind të individëve të papunë të moshës 15 deri 24 vjeç. Njëherazi nga shtetet e Evropës me ekonomi më të zhvilluar, me papunësi të lartë të rinjve dallohet Italia me 20 për qind të të rinjve të papunë.
Njohësit e kësaj problematike thonë se papunësia e të rinjve mund të zbutet me stimulimin e sipërmarrjes apo nisjen e bizneseve, rikualifikimin e një pjese të caktuar të kuadrove që vështirë gjejnë punë, uljen e nivelit të personave që punojnë në të zezë si dhe vendosjen e sistemit të mësimit të përjetshëm ngjashëm me shtetet e zhvilluara në kuadër të së cilit individët stimulohen të përsosen në fushat ku ka kërkesa më të mëdha për punë. Nga ana tjetër, punëdhënësit thonë se edhe pagat shpesh të ulëta janë ndër faktorët kryesor të kësaj shkalle të lartë të papunësisë rinore. Vlerësohet se për të rinjtë e papunë, rrugëdalje shpesh e vetme mbetet emigrimi në shtetet perëndimore me një treg dinamik të punës që ofron edhe paga solide dhe shumë më të larta se më vendlindje. Shpërnguljen e madhe të të rinjve jashtë e dëshmojnë edhe autobusët e mbushur plot të rinj që kanë destinacion qytetet e ndryshme të Evropës perëndimore , të cilët ikin për punë të përkohshme tre apo gjashtë mujore, apo ikin duke zgjedhur statusin e tyre të qëndrimit në mënyrë të përhershme apo të përkohshme.

Nga Konfederata e Biznesit të Maqedonisë thonë se të rinjtë në shtet e dinë shumë mirë se një vend pune i njëjtë në perëndim paguhet për disa herë më shumë se tek ne andaj edhe ikin jashtë për shkak se tek ne nuk vlerësohet mundi i tyre. “Një pjesë e madhe e fuqisë punëtore është e angazhuar në ekonominë informale që përfshin 20 deri 30 për qind të ekonomisë, shumë pak i kushtohet edhe vëmendje trajnimit, dhe rikualifikimit të punëtorëve , ndërsa vite me radhë në shtet edhe nuk respektohen edhe të drejtat e punëtorëve”, thotë kryetari i një nga shoqatave të punëdhënësve në shtet, Mile Boshkov.

Nga ana tjetër sipas ekspertes Marija Topuzovska, krahas hapjes së vendeve të reja të punës për të rinjtë , nevojitet që edhe sektori privat të ofrojë një stabilitet më të madh lidhur me sigurinë e vendit të punës dhe pagës së rregullt.

“Në këtë drejtim nevojitet që vendet e ofruara të punës të jenë atraktive për të rinjtë që të mundet prej tyre të kërkohet lojalitet dhe rezultate, ndërsa preferohet edhe rritja në vazhdimësi e pagës si rregulla të qarta për avancimin e tyre në vendin e punës. Nga ana tjetër, në sektorin shtetëror nevojitet të sigurohen në kuadër të planifikimit të burimeve njerëzore, kushte ligjore për pensionimet e rregullta me çka në mënyrë të planifikuar do të hapen edhe vende të reja për shkak të plotësimit të vendet të liruara të punës”, thekson Topuzovska. Sipas saj, edhe seleksionimi i kandidatëve për punësim në sektorin privat dhe publik duhet të jetë objektiv apo sipas kërkesave të vendit të punës, me çka do të promovohet edhe profesionalizmi si cilësi. Nga ana tjetër , vlerësohet se edhe arsimi joformal në shtet akoma ka nevojë të avancohet.

“Trajnimet praktike , kurset e ndryshme, certifikatat për shkathtësitë e ndryshme akoma nuk vlerësohen dhe pranohen sa dhe si duhet nga ana e punëdhënësve, përkundër faktit se seminaret e ndryshme për të rinjtë paraqesin një mbindërtim shtesë të çdo profesionisti i cili gjatë kohës së studimeve nuk ka pasur kohë apo mundësi që të njihet edhe praktikisht me profesionin e tij.”, thonë njohësit e tregut të punës në shtet. Sipas tyre, bile mund të mendohet që arsimi joformal të sjellë edhe pikë shtesë gjatë aplikimeve për punë.

Aktualisht në shtet po zbatohen më shumë masa për të zbutur dhe zvogëluar papunësinë e të rinjve ndër të çilat është edhe ajo e “garancisë për të rinjtë”, që vitin e kaluar punësoi 1800 të rinj, ndërsa sivjet me të pritet të përfshihen 9500 të rinj. Për në vitin 2020 pritet që edhe me zgjidhje ligjore ti garantohet çdo të riu që pas përfundimit të shkollimit të fitojë mundësi për rikualifikim dhe fitim të ndonjë shkathtësie që i ka munguar në procesin edukativo-arsimor me qëllim që të ketë mundësi shumë më të mëdha për tu punësuar.

Në ndërkohë, në vitet e kaluara Gjermania, Danimarka dhe Holanda kanë qenë shembuj të mirë se si ulet papunësia rinore. Sistemi gjerman për arsim profesional , angazhimet daneze për të luftuar papunësinë tek të rinjtë në fazat e hershme si dhe kushtet fleksibile të punës në Holandë bëjnë që këto shtete të dallohen në zgjidhjen e kësaj problematike. Danimarka për shembull e thekson rëndësinë e arsimit tek të rinjtë pa kualifikime, ndërsa në Gjermani gati të gjitha bizneset me më shumë se 500 punëtorë, punësojnë praktikantë të rinj.

Ndryshe, shkalla e papunësisë e të rinjve është më e ulët në vendet e Evropës Perëndimore dhe Veriore. Holanda ka përqindjen më të ulët të të rinjve të papunë, me vetëm 4 për qind, ndërsa pas renditet Norvegjia ku papunësia tek të rinjtë në vitin 2018 ishte 4.6 për qind. Në Gjermani, Çeki, Zvicër, Austri dhe Suedi, norma e papunësisë luhatet nga 6 deri 6.5 për qind. (koha.mk)