Shkup, 5 prill – Ndalesa për lëvizjen e popullatës edhe sot fillon në orën 16:00 dhe do të zgjasë deri në orën 05:00 të mëngjesit. Ndalesa për lëvizje gjatë fundjavës është në përputhje me vendimin e Qeverisë që zbatohet nga java e kaluar. Ora policore gjatë ditëve të punës fillon në orën 21, ndërsa për personat më të moshuar çdo ditë prej orës 11, të rinjtë deri në 18 vjeç kanë lëvizje të kufizuar deri në orën 12.
Të gjitha institucionet dhe kompanitë private që punojnë gjatë fundjavave, duhet të përshtaten me kufizimet e reja për lëvizje dhe ta përfundojnë procesin e punës më së voni deri në orën 15:00.
Bujqit që kultivojnë kultura kopshtare dhe kanë aktivitete të lidhura me prodhimtarinë në serra janë të liruar nga ndalesa e lëvizjes gjatë fundjavës. Bujqit e tjerë si blegtorët, kultivuesit e frutave nëse kanë aktivitete të paanulueshme lidhur me prodhimin bujqësor gjatë ndalesës për lëvizje, duhet përmes telefonit të lajmërohen në njësitë rajonale të Ministrisë për të marrë leje.
Uzinat dhe fabrikat prodhuese e vazhdojnë prodhimin e tyre të organizuar në turne. Në pajtim me konkluzionin e Shtabit kryesor koordinues të krizave, punëtorët gjatë ndalesës për lëvizje do të mund të shkojnë në vendet e tyre të punës me leje të posaçme për kryerjen e punës në turne.
Të gjitha ndalesat dhe përkufizimet e miratuara paraprakisht, mbeten në
fuqi.
Vendimin Qeveria e mori në seancën e 28-të të mbajtur më 25 mars në drejtim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit në vend. Kjo është fundjava e dytë në të cilën zbatohet ora policore.