“Është duke ardhur një cunami i infektimeve të reja me virusin korona, ku çdo ditë kemi nga 30 vdekje dhe qindra e mijëra infektime të reja. Nga infektimet e reja, më të prekurit janë të rinjtë ku përfundojnë me gjendje të keqe shëndetësore në spitalet e vendit. Konsiderojmë që mësimi këtë vit duhet të zhvillohet online me çdo çmim, sepse në një klasë me 36 metra katrorë ka nga 30 deri në 32 fëmijë, nuk do të ketë hapësirë të mjaftueshme mes vete për t’u mbrojtur nga virusi korona”, u shpreh Gligorova
Zenel MIFTARI
Shkup, 26 gusht – Iniciativa për mbështetjen e mësimit online dje i ka kërkuar Qeverisë të anulojë vendimin e 17 gushtit për mësim me prani fizike të fëmijëve nga 1 shtatori, ndërsa janë shprehur që, edhe gjatë këtij viti, nxënësit të ndjekin mësimin nga shtëpia përmes mjeteve teknologjike. Ana Gligorova nga Iniciativa për mbështetjen e mësimit online, para mediave tha se e drejta për jetë dhe shëndet është e garantuar me Kushtetutë, ndërsa mësimi duhet mbajtur online, sidomos tani kur kemi nga 30 viktima e mijëra të infektuar, shkruan gazeta KOHA.
“Është duke ardhur një cunami i infektimeve të reja me virusin korona, ku çdo ditë kemi nga 30 vdekje dhe qindra e mijëra infektime të reja. Nga infektimet e reja, më të prekurit janë të rinjtë ku përfundojnë me gjendje të keqe shëndetësore në spitalet e vendit. Konsiderojmë që mësimi këtë vit duhet të zhvillohet online me çdo çmim, sepse në një klasë me 36 metra katrorë, ndërkaq kur të hynë në klasë nga 30 deri në 32 fëmijë, nuk do të ketë hapësirë të mjaftueshme mes vete për t’u mbrojtur nga virusi korona, kështu infektimi i fëmijëve me virusin korona është shumë i mundshëm”, u shpreh Gligorova. Ajo gjithashtu tha se sipas vendimit të Qeverisë më 17 gusht, prindërit që dëshirojnë që fëmijët e tyre të ndjekin mësim online duhet të dorëzojnë vërtetime mjekësore për fëmijët e tyre deri te drejtorët dhe një vërtetim mjekësor për një anëtar të familjes i cili është i sëmur.
“Kërkesa jonë e parë është që të ketë mësim online për të gjithë nxënësit, pasi është më sigurt, dhe kërkesa tjetër është që prindërit që dëshirojnë që fëmijët e tyre të ndjekin mësim online, nga shtëpia, të kenë këtë mundësi vetëm përmes një deklarate deri te drejtori i shkollës dhe pa procedurat burokratike. Pra mos të ketë nevojë për vërtetime mjekësore, por vetëm dëshira e prindërit të mjaftoj që të ketë mundësi nxënësit të ndjek mësimin nga shtëpia”, nënvizoi ajo. Sipas saj, derisa universitetet po vendosin të zhvillojnë ligjëratat online, kjo duhet të bëhet edhe për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.
Ndërkohë sa i përket deklaratës së UNICEF Maqedoni, të cilët kanë përshëndetur Qeverinë për vendimin e marrë që mësimi nga një shtatori të filloj me prezencë fizike, Gligorova, tha se UNICEF-i ka të drejtë të jep sugjerime dhe ide, por vendi ynë është shtet sovran dhe i pavarur, si i këtillë, siç tha ajo, duhet të vendos vet dhe ashtu siç është më së miri për shëndetin e qytetareve të saj. “E gjithë përgjegjësia e infektimeve të mëdha me virusin korona dhe vdekjeve shkaku i këtij virusi e mban Qeveria bashkë me Komisionin për Sëmundje Infektive”, përfundoj ajo. (koha.mk)