Fisnik PASHOLLI
Shkup, 23 shtator – Pagat mesatare neto në vitin e kaluar kanë qenë më të larta në 21 shtete afrikane në raport me Maqedoninë, Serbinë dhe disa shtete të tjera të rajonit, shkruan gazeta KOHA. Sipas analizave të Rrjetit për përkrahje afariste të Serbisë, në vitin 2016, në Serbi paga mesatare ka qenë 398 dollarë apo 46.097 dinarë, që është e përafërt me shumën prej afër 420 dollarë apo 22 mijë denarë, sa në mesatare ishte rroga e një të punësuari në Maqedoni vitin e kaluar..
Rroga më të larta se qytetarët e Maqedonisë, në vitin e kaluar kanë pasur të punësuarit në Angollë, Libi, Zambi, Lesoto, Afrikë të Jugut dhe Malavi, ku ato kanë lëvizur prej 1.126,12 dollarë deri në 1.806,50 dollarë. Bile Maqedoninë dhe Serbinë e kanë tejkaluar me pagën mesatare, edhe dhjetëra shtete të tjera afrikane. “Serbinë e kanë tejkaluar edhe Liberia, Namibia, Gaboni, Svazilendi, Kongo, Bocvana, Sudani, Xhibuti, Bregu i Fildishtë ,Çadi, Tanzania, Guinea Ekvatorial , Maroko, Mozambiku dhe Zimbabve,ku pagat janë ndërmjet 399 dhe 998 dollarë“, thotë Dragoljub Rajiç, kryetar i Rrjetit për përkrahje afariste në Serbi.
Sipas tij, shumicës së këtyre shteteve ju mungojnë edhe artikujt themelorë ushqimorë, që janë të detyruar t’i importojnë, ndërsa rezultatet e tilla tregojnë se nevojitet ndryshuar konceptin e zhvillimit ekonomik për shkak se Serbia, sipas gjendjes në ekonomi gjendet në nivelin e shteteve të mesme të zhvilluara afrikane, ku mbizotëron korrupsioni dhe ka probleme me sundimin e ligjit. Nga ana tjetër, ekonomistët në Maqedoni, thonë se të gjitha shtetet e rajonit vuajnë nga perceptimi i lartë i mitos dhe korrupsioni, kapaciteti i ulët i administratës publike, papunësia e lartë, efikasiteti i ulët i gjyqësorit, e kështu me radhë. Vlerësohet se ngecja e madhe e shteteve të rajonit në aspektin ekonomik dhe hapat e ngadalshëm në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, ndërlidhen me më shumë faktorë ku bëjnë pjesë edhe pasojat e krizave politike dhe luftërave të viteve 90-të, kapacitetet e dobëta administrative të shteteve që të krijojnë ambient të favorshëm për sipërmarrje dhe jo shtetet të jenë lojtarët kryesor në ekonomi, mungesën e stabilitetit politik për një kohë më të gjatë. Njëherazi, mungon edhe vëmendja më e madhe Brukselit për këtë rajon për mbarëvajtjen e reformave. Sipas profesorit universitar, Neritan Turkeshi, mjaft shtete në botë qoftë në Afrikë, por edhe në Azi bëjnë po shënojnë suksese të mëdha në shumë fusha, që lidhet me rritjen ekonomike dhe rilindjen kulturore të tyre. “Ekziston një traditë dhe shprehi e keqe në ish shtetet jugosllave, përfshi edhe Maqedoninë që të nënvlerësojmë në çdo aspekt shumë shtete në botë dhe të mbivlerësojmë vetveten. Në kontinentin afrikan krahas shteteve të varfra kemi edhe shtete që dallohen me ekonomi të zhvilluara dhe prosperuese. Nuk duhet harruar se shumë shtete afrikane posedojnë pasuri të mëdha natyrore, kanë një traditë të çmuar administrative dhe të shkollimit të trashëguar nga ish shtetet koloniale si Anglia apo Franca, kanë elita të shkolluara në universitetet më prestigjioze amerikane dhe evropiane si dhe zhvillojnë edhe mjaft reforma që të avancojnë shtetet e tyre, andaj edhe një pjesë e konsiderueshme e tyre edhe ecin para në aspektin ekonomik dhe politik”, thotë profesori i ekonomisë Neritan Turkeshi. Sipas tij, nuk duhet harruar se një pjese e madhe e tyre janë edhe objekt interesimi i Kinës si fuqi e madhe ekonomike në rritje e sipër, e cila jo vetëm që investon në këto shtete, por edhe realizon një pjese të madhe të këmbimeve tregtare me mjaft shtete afrikane. Në ndërkohë në vitet e fundit, Afrika përkundër ekzistencës së shteteve të varfra, ka edhe mjaft shtete që bëhen se vjen e më shumë interesante si tregje të reja, si rrjedhojë e uljes së intensitetit të luftërave, dhe grusht-shteteve të ndryshme që i lë ekonomisë një hapësirë më të madhe për zhvillim. Ndër shtetet e para që kanë treguar interesim për tregun afrikan ka qenë Kina, e cila që në vitin 2009 ka marrë primatin nga SHBA-të, në vlerën e tërësishme të këmbimit tregtar me Afrikën. Këmbimi kinezo-afrikan në vitin 2000 ka qenë 10 miliardë dollarë, ndërsa në vitin 2013 është rritur bile në 200 miliardë dollar. Edhe shtetet me ekonomi në rritje si India dhe Brazili kanë përforcuar prezencën e tyre ekonomike në kontinentin afrikan në vitet e fundit. (koha.mk)