Evis HALILI
Shkup, 23 mars – Alarmi për spostimin e kufijve të moshës së shtatzënisë së parë të një gruaje nuk po bie vetëm për maqedonasit, shkruan gazeta KOHA. Sipas të dhënave më të fundit për shkallën e natalitetit në vendet evropiane të realizuar nga EUROSTAT-i, mosha mesatare është zhvendosur nga 25 deri në 29 vjeç, ndërsa në rritje është edhe kategoria e moshës 30-35 vjeçare e femrave që lindin për herë të parë. Mosha mesatare e lindjes së parë është 27 vjeç, theksohet në raport, ku po ashtu analizohet për rrjedhojë edhe rënia e natalitetit, i cili gjatë 15 viteve të fundit ka arritur në 0,23 për qind (nga 27 mijë bebe të lindura në 2001 me mbi 23 mijë bebe në vitin 2015). Pasiguria ekonomike, po aq sa edhe ngritja e nivelit të emancipimit dhe thyerja e tabuve dhe e normave tradicionale të të jetuarit shihen si disa prej shkaqeve kryesore të këtyre ndryshimeve, sqarojnë sociologë e demografë. Por fenomeni tashmë nuk është i huaj as për familjet shqiptare. Nëse disa vite më parë shtatzënia niste pa mbushur njëzet vjeç, tani mosha mesatare është nga 20 deri 25 vjeç. Kurorëzime në rënie, numër i reduktuar fëmijësh dhe për rrjedhojë edhe natalitet që është shumë larg shkallës së dëshiruar të shtimit natyral të popullsisë. Gostivari është një prej atyre komunave e cila regjistroi shifra të ulëta të natalitetit krahasuar me një vit më parë. Nga Qendra e gruas “Etika” në këtë qytet pohojnë se standardi i jetës nga njëra anë dhe vetëdijesimi i femrave nga ana tjetër kanë sjellë ndryshime në mentalitetin e shoqërisë dhe femrave në veçanti.
“Dikur, e kam fjalën edhe për disa vite më parë, femrat martoheshin që në moshën 18 vjeçare, ndërsa tani kjo moshë është shtyrë. Ndonëse faktorët ekonomikë janë kyçe, mendoj se vetëdijesimi i femrave, dëshira e tyre për t’u realizuar në jetë, për të vazhduar shkollimin, por edhe për të bërë karrierë janë shkaktarë kryesorë. Jo vetëm mosha e shtatzënisë së parë, që po i kalon të njëzetat, por edhe numri i fëmijëve është më i vogël, nga një deri në dy. Femrat në këto raste si pikënisje nuk e kanë edhe aq shumë traditën apo kulturën e mjedisit ku jetojnë, i japin më shumë përparësi sigurimit të të ardhmes së tyre”, thotë për KOHA, Sebajete Zenku nga Etika.
Edhe sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, struktura gjinor e atyre që ndjekin studimet universitare dhe pasuniversitare çdo vit shkon në favor të femrave, duke e rritur ndjeshëm numrin e tyre, kryesisht në shkencat shoqërore, mjekësi. Por për dallim nga meshkujt, shkalla e papunësisë vërehet më e lartë tek gjinia femërore. Vetëm 33,7 e femrave janë në një marrëdhënie pune, krahasuar me meshkujt ku shkalla është më e lartë, mbi 50.
Sipas raportit të Eurostat, mosha mesatare e evropianeve që lindin fëmijën e parë është 29 vjeç. Sa i takon vendeve të rajonit Shqipëria ka moshën më të re të femrave që lindin fëmijën e parë, rreth moshës 25 vjeçare, ndërsa pas tyre radhitet Maqedonia me një moshë mesatare rreth 27 vjeç. Sa i tako vendeve të BE, nënat më të reja janë ato bullgare, me një moshë mesatare 26 vjeç. Ndërsa kufiri i moshës është spostuar më shumë nga nënat në vende të tilla si Spanja, Greqia, apo Italia. Nataliteti në vendet evropiane ka shënuar rritje të lartë në Suedi dhe rënien më të madhe në Portugali, ndërsa rekordi i lindjeve është shënuar në vende si Franca, Britania dhe Gjermania.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara