Tani që arsimi i mesëm është i obligueshëm, ata që kryejnë arsimin nëntëvjeçar duhet të ndjekin të njëjtat rregullat që vlenin para 2007-ës. Pra, duhet të parashtrojnë lutje për regjistrim në shkollë, të shpejtojnë të zënë vendet që në aftin e parë dhe t’u nënshtrohen testimeve apo provimeve pranuese në shkollat ku janë paraqitur më tepër kandidatë
Laura PAPRANIKU
Shkup, 4 prill – Nuk ka mjaftuar një dekadë nga koha kur në Maqedoni është bërë i detyrueshëm arsimi i mesëm e që Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) të ndryshojë qasjet në krijimin e politikave arsimore, respektivisht të mekanizmave për kalimin e nxënësve nga niveli fillor në nivelin e mesëm arsimor, shkruan gazeta KOHA.
Në përjashtim të shtimit të numrit të vendeve të lira për regjistrim, gjithçka tjetër që ka të bëjë me regjistrimin në shkolla të mesme vazhdon të jetë e njëjtë me kohën kur për t’u regjistruar në ndonjë shkollë të mesme, kandidatët duhej ti nënshtroheshin testimit dhe të gjitha kritereve tjetra për regjistrim, sepse shkollimi mesëm nuk ishte i detyruar. Madje, për nxënësit shqiptarë ishte privilegj, pasi deri vitin 2002 – gjysma e gjysmëmaturantëve shqiptarë mbeteshin jashtë sistemit arsimor. Për paralelet me mësim në gjuhën shqipe kishte vend vetëm për gjysmën e nxënësve që kryenin arsimin e lartë.
Edhe tani që arsimi i mesëm është i obligueshëm, të gjithë 15 dhe 16 vjeçarët duhet të ndjekin të njëjtat procedura. Pra, duhet të parashtrojnë lutje për regjistrim, të shpejtojnë të zënë vendet nëpër shkollat e preferuara, tu nënshtrohen testimeve pranuese nëse në shkollën ku ata dëshirojnë të regjistrohen janë paraqitur më tepër kandidatë se sa MASH-i ka planifikuar të regjistrohen në atë shkollë… Këto janë arsyet që në shkumë shkolla nuk mund të eliminohet praktika e krijimit të paraleleve artificiale, respektivisht të formimit të paraleleve maqedonase me nxënës shqiptarë. Për po këto arsye, nëpër gjimnaze, shkollat e mesme të medicinës dhe ekonomisë – numri i nxënësve nëpër paralele është dukshëm më i madh se sa në shkollat profesionale në perspektivë, si ato të elektroteknikës, agromenaxhimit, veterinarisë, teknikës apo makinerisë.
Në shkollat artistike është gjithashtu e pa rregulluar sa duhet çështja e regjistrimit të nxënësve. Jehona e regjistrimit është shpeshherë stihike, herë shumë e herë pak kandidatë. MASH-i, gjithë këto vite ka dështuar të vendos që në shkollat fillore mekanizimin e orientimit të hershëm të fëmijëve për nivelin pasardhës të shkollim për në shkollat e mesme dhe në të njëjtën kohë – të rregullojë ndarjen e paraleleve sipas gjuhës në të cilën zhvillohet mësimi.
Orientimi i nxënësve është lënë në duart e fushatave propaganduese të shkollave, pasi cila shkollë punon më shumë në këtë drejtim, ajo do të tërheq nga vetja edhe numrin më të madh të nxënësve. Ndërkaq, askush në shkollat fillore (të paktën në cikin e lartë të arsimit nëntëvjeçar) nuk merret me zbulimin e aftësive dhe dhuntive të nxënësve për fusha të veçanta dhe paralelisht kësaj – orientimin e nxënësve drejt shkollave të drejtimeve përkatëse. Bashkëpunimi me prindërit dhe komunitetin është një dobësi tjetër karakteristike, sidomos për shqiptarët.
Deri në 2007-ën, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Shkup organizonte takime të përbashkëta mes përfaqësuesve të shkollave fillore dhe të mesme.
Qëllimi i këtyre takimeve ishte gjetja dhe shfrytëzimi maksimal i ofertës që jepej për nxënësit shqiptarë me Konkurset për regjistrim të MASH-it. Mirëpo, pasi nga viti 2007, arsimi i mesëm u bë i obligueshëm për të gjithë, këto praktika të cilat ishin treguar pozitive dhe kishin dhënë rezultate të lakmueshme, në vend që të zgjerohen – u ndërprenë krejtësisht. Problemi është se nuk u zëvendësuan me të tjera më të sofistikuara dhe më institucionale. Për pasojë, regjistrimi i nxënësve në shkollat e mesme është lënë në mëshirën e shkollave dhe Konkurseve të MASH-it, të cilat jo çdoherë mundësojnë qasje të barabarta për shkollim të mesëm për të gjithë nxënësit dhe jo çdoherë janë të çliruara nga mendësia e dominimit të shumicës në dëm të pakicës. (koha.mk)