Sipas analistëve serbë, Ballkani ka dy çështje të cilat duhet të zgjidhen, dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit, si dhe marrëveshjet e Serbisë me vendet fqinje midis të cilave është edhe Maqedonia e Veriut. Por, studiuesi dhe historiani Sevadil Demiri thotë se problemet kishtare me Serbinë sikur janë fashitur
Destan JONUZI
Shkup, 10 maj – Pas nënshkrimit të marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë për korrigjimin e kontesteve historike nëpër librat shkollor, një marrëveshje e tillë kërkohet që të nënshkruhet edhe me Serbinë. Dushan Janjiq, analist i njohur nga Serbia, ka theksuar se Ballkani ka dy çështje të cilat duhet të zgjidhen, dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit, si dhe marrëveshjet e Serbisë me vendet fqinje midis të cilave edhe me Maqedoninë e Veriut, shkruan gazeta KOHA.
“Ne do të veprojmë më ndryshe nga ajo se si u arritën Marrëveshjet midis Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, Greqinë dhe Kroacinë. Nuk kishim përplasje të drejtpërdrejt të armatosur, por ka disa çështje në të cilat do të fokusohemi. E para është paraqitja e përbashkët nëpërmjet projekteve dhe mekanizmave drejt të ardhmes evropiane. Por, mbetet edhe një problem i cili është një natyre drastike, e ajo është në fushën e të drejtave të njeriut dhe bashkësive minore dhe të drejtat e bashkësive fetare”, ka thënë midis tjerash analisti serbë, Dushan Janjiq, në panel diskutimin e organizuar nga Sekretariati për Çështje Evropiane. Nga ana tjetër, studiuesi dhe historiani, Sevdail Demiri thotë se për stabilizimin e Ballkanit, çështjet kryesore që duhen zgjidhur nga diplomacia euro-perëndimore kanë qenë marrëveshja e Maqedonisë me Greqinë rreth emrit, marrëveshja për kufijtë mes Kosovës e Serbisë, si dhe marrëveshja detare mes Shqipërisë dhe Greqisë.
“Me zgjidhjen e kontestit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë u bë një hap i madh drejt paqësimit të rajonit. Maqedonia e Veriut është duke negociuar edhe me Bullgarinë për çështjen e gjuhës, kulturës e historisë së përbashkët, ku janë duke u bërë përparime të dukshme. Problemet kishtare me Serbinë sikur janë fashitur. Por, duke qenë e përkufizuar me gati gjysmën e territorit me shtetet shqiptare, udhëheqja e re e Maqedonisë së Veriut nuk sheh konteste të hapura as me Shqipërinë e as me Kosovën! Kjo gjendje në masë të madhe i dedikohet lojalitetit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ndaj këtij shteti, ku janë pjesë e vendimmarrjes. Por, kjo në asnjë mënyrë nuk donë të thotë se ne tash duhet të rrimë qetë se i kemi zgjidhur të gjitha çështjet! Ka mjaft raste të cilat patjetër duhet të vihen në rend dite, siç është problemi i të burgosurve kosovarë të Grupit të Kumanovës, neglizhencat e pakuptimta në lidhjet infrastrukturore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës (zvarritja e hapjes së kufirit Bellanoc-Stançiç, autostrada Shkup-Bllacë, etj), apo edhe implementimi praktik i projektit për Abetaren mbarëkombëtare…”, deklaroi për gazetën KOHA, Sevdail Demiri, historian. Sipas tij, shqiptarët tanimë janë një faktor shumë i rëndësishëm i stabilitetit rajonal, prandaj edhe fqinjët duhet të kenë konsiderata më të mëdha në këtë raport të ndërsjellë. (koha.mk)