“Mendojmë se PDSH do jetë pjesë e Qeverisë. Por që të ndodh kjo duhet të ketë bisedime mes kryeministrit Zaev dhe liderit të PDSH-së ku dhe do të merret vesh se cilat do të jenë pozicionet e PDSH-së në Qeveri. Edhe më herët ka pasur klimë pozitive për PDSH-në që ti bashkëngjitet koalicionit të gjerë të partive politike në pushtet, por ditëve në vijim do të merret vesh më shumë”, thonë zyrtarë të LSDM-së
Fatos RUSHITI
Shkup, 3 prill – Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit pas 10 vitesh në opozitë shumë shpejt mund t’i bashkëngjitet koalicionit qeveritar LSDM-BDI. Në vijë të njëjtë me qëndrimet e zyrtarëve të BDI-së që një javë më parë brifuan gazetën KOHA se punojnë që PDSH të jetë pjesë e Qeverisë, të hënën zyrtarë të lartë të LSDM-së dhe burime të afërta me deputetët e PDSH-së në Parlament, u shprehën të sigurt se do të jetë edhe PDSH partia që do të përfshihet në Qeveri. Të njëjtën siguri nuk e dhanë edhe për partitë tjera, duke ia lënë më shumë mënyrës se si do të zhvillohen bisedimet – sidomos me të dy krahët e Lëvizjes BESA, ndërsa nuk konfirmua asgjë se me Aleancën për Shqiptarët do të ketë bisedime për të qenë pjesë e Qeverisë. Sipas asaj që thonë për gazetën KOHA zyrtarë të lartë nga LSDM, më konkretisht për pozicionin e PDSH-së në Qeveri do të dihet pas bisedimeve që do të nis ditëve në vijim vet kryeministri Zaev me këtë parti.
“Mendojmë se PDSH do jetë pjesë e Qeverisë. Por që të ndodh kjo duhet të ketë bisedime mes kryeministrit Zaev dhe liderit të PDSH-së ku dhe do të merret vesh se cilat do të jenë pozicionet e PDSH-së në Qeveri. Edhe më herët ka pasur klimë pozitive për PDSH-në që ti bashkëngjitet koalicionit të gjerë të partive politike në pushtet, por ditëve në vijim do të merret vesh më shumë”, thotë njëri nga zyrtarët e LSDM-së. Sipas tij, lideri i LSDM-së, kryeministri Zoran Zaev është e sigurt se krahas partisë së turqve dhe PDSH-së, do të nisë bisedime me të dy krahët e Lëvizjes BESA. “LSDM është e interesuar që sa më shumë parti të jenë në Qeveri me qëllim që të rritet shumica parlamentare në momentin e duhur për Maqedoninë. Përveç partisë së turqve, bisedime do të ketë edhe me të dy krahët e Lëvizjes BESA, por a do të jenë apo jo pjesë e Qeverisë, më shumë do të varet nga bisedimet që do të zhvillohen”. Qëndrimi i zyrtarit të lartë të LSDM-së është në vijë të njëjtë me zyrtarët e BDI-së që para një jave brifuan për gazetën KOHA se janë të interesuar që me çdo kusht PDSH të bëhet pjesë e Qeverisë si vazhdimësi e bashkëpunimit të ngushtë që kanë pasur më partinë e Thaçit në zgjedhjet lokale.
Ndryshe, burime parlamentare thonë madje se PDSH po synon poste ministrore dhe drejtori në lëminë e sigurisë nacionale. “Për poste ministrore PDSH do të shikohet që të merr Ministrinë e Drejtësisë, atë të Ekonomisë apo ministrinë pa resor që mbulon investimet e huaja, ndërsa për emrat që mund të ulen në krye të ndonjërit nga këto tre ministri, shanse të parët kanë ish-deputetët e PDSH-së që ishin më herët. Sa i përket drejtorive, synohet post i lartë në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim”, thonë burime parlamentare. Ndryshe, PDSH në zgjedhjet lokale kishte një bashkëpunim të ngushtë me BDI-në dhe në shumë komuna – votat e PDSH-së kishin ndikim si në rrethin e parë, ashtu edhe në rrethinë e dytë që BDI të fitojë. Kjo u pa në Likovë, Çair, Strugë, Tetovë dhe Tearcë. Por PDSH dhe BDI si armiq të fortë politik relaksuan raportet që nga viti 2015, kur nisin bisedimet për zgjidhjen e krizës politike, ku shpesh kryetari Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi kishin qëndrime të njëjta për shumë çështje me rëndësi për shqiptarët si barazia buxhetore, heqja e monopolit në KSHZ, program i veçantë në Servisin publik vetëm në gjuhën shqipe dhe aspekte tjera që kishin të bënin me funksionimin e Qeverisë teknike, edhe pse PDSH nuk deshi të bëhej pjesë e saj me gjithë ofertën e ndërkombëtarëve dhe të partive tjera politike.
Kryeministri Zoran Zaev ndërkohë tha se është në bisedime me deputetët, një pjesë e tyre janë nga partitë shqiptare, ndërsa pjesa tjetër janë më pak në numër të komuniteteve tjera etnike në Republikën e Maqedonisë. Ai shfaqi shpresë se shumica qeveritare do të ketë sukses ta rritë numrin e deputetëve që do të thotë stabilitet të shumicës parlamentare dhe të politikave qeveritare në kohën, siç tha Zaev, kur pritet zgjidhje për kontestin për emrin, datën për fillim të negociatave me BE-në, ftesën e NATO-s. Zaev tha se është optimist se shumica parlamentare do të zgjerohet, duke theksuar se po bisedon me deputetët e Lëvizjes së ndarë BESA, e cila sipas kryeministrit ka qëndrime të afërta me ato të pushtetit, pastaj me PDSH-në e cila me një ose dy deputetët e saj e mbështesin politikat e Qeverisë. Partia demokratike turke, gjithashtu sheh ambient edhe në disa deputetë tjerë në Parlament që do të mbështetnin politika të tilla. (koha.mk)