Vjollca SADIKU
Dibër, 11 mars – Edhe përkundrejt masave që ka ndërmarrë Republika e Maqedonisë në përputhje me kërkesat e shteteve të Unionit Evropian për parandalimin e shtetasve të Maqedonisë për të kërkuar azil, një pjesë e popullatës dibrane vazhdon të udhëtojë me shpresë për të marrë azil në Gjermani, Holandë, Luksemburg, Belgjikë, Francë dhe vende të tjera, shkruan gazeta KOHA. Dominojnë banorët dibran të bashkësisë etnike rome, të cilët edhe pse pas depërtimit, ata përsëri vazhdojnë të udhëtojnë për në shtetet në fjalë. Interesimi për të kërkuar azil është prezent te banorët e Komunës Dibër dhe paraqet një moment shqetësues. Shkaku kryesor për t’u larguar nga vendlindja mbetet papunësia dhe problemet sociale me të cilët ballafaqohen shumë familje dibrane. Pas liberalizimit të vizave për shtetasit e Republikës së Maqedonisë, familja sidomos me probleme ekstreme sociale kërkuan rrugëdaljen e tyre, duke udhëtuar në një drejtim për në Shtet e Unionit Evropian. Sidomos, shumë familje rome nisën rrugën e shpresës, siç i thonë, me qëllim që të sigurojnë jetesën në shtetet evropiane. Edhe pse atje nëpër kampe të ndryshme qëndrojnë nga një apo dy vite, pjesa dërmuese e tyre depërtohen në Maqedoni.
Enes Abdiu me familjen e tij dy herë ka qenë i depërtuar nga Gjermania. Ai thotë se ka probleme sociale, të cilët i pamundësojnë një jetë normale këtu më Maqedoni. “Atje bëjmë paraqitjen në Qendrat për azil, na vendosin, na japin pak të holla dhe pasi na depërtojnë, ne kthehemi në Dibër dhe me kursimet e bëra atje, për një kohë bëjmë një jetë”, thekson ai. Nga fillimi i këtij viti, rezulton se dhjetëra familje rome nga Dibra të kenë nisur përsëri në shtetet e Unionit Evropian. Sipas të afërmve të tyre, janë kryesisht familjet e varfra rome, të cilët shpresën për një jetë më të mirë e shohin në marrjen e leje-qëndrimeve në vendet të Evropës Perëndimore. Një pjesë e tyre para disa viteve ka qenë e depërtuar në Maqedoni, por ata përsëri kanë vendosur që të kërkojnë rrugën e shpresës. Kur jemi te kërkuesit e azilit, deri tani jo-zyrtarisht mbi 90 për qind e banorëve të Dibrës që kanë kërkuar azil në shtet e UE, përsëri janë depërtuar, por ka edhe familje të tilla të cilët për shkaqe të ndryshme, kanë përfituar azil. Pikërisht ata familje japin një shpresë edhe për familjet tjera për të marrë rrugën, sidomos drejt Gjermanisë, Belgjikës, Francës, Holandës, Luksemburgut, Suedisë etj. Rrugëtimi i shpresës argumentohet edhe me uljen e numrit të nxënësve në shkollat fillore. Po ashtu një argument plus është edhe ulja e numrit të fëmijëve të cilët janë në vitet kur ata janë në procesin e imunizimit .
Në bisedat që patëm me familjar të dibranëve që përsëri u nisën tentimin për të marrë azil, u informuam se papunësia në të cilën janë gjendur kryefamiljarët këtu në Dibër i detyron ata të udhëtojnë në shtet të Unionit Evropian ku pas vendosjes në kampet, ata marrin edhe një pagë mujore prej 700 eurosh dhe një shtojcë plus për çdo fëmijë. Mes atyre që udhëtojnë për të kërkuar azil, ka edhe nëna shtatzëne, të cilat lindje i kryejnë në kampet të azilkërkuesve. Lindjet ju japin mundësi që të shpresojnë se fëmija dhe familja në përgjithësi do të përfitojë të drejtën të azilit. Për t’u parandaluar kjo dukuri, disa shoqata qytetare kanë realizuar edhe projekte për informimin e popullatës që të mos marrin këtë rrugën, sepse do t’i kthejnë sërish. Por, edhe përkundrejt këtyre paralajmërimeve, rruga e shpresës për një jetë më të mirë vazhdon.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.