Edhe pak kohë për ta nënshkruar Marrëveshjen!

Ohër, 18 mars – Nënshkrimi i marrëveshjes nga Kosova dhe Serbia do të jetë i pashmangshëm, sepse, në të kundërtën, palët jokonstruktive do të gjendeshin jo vetëm para presionit të partnerëve perëndimorë, por edhe masave të caktuara ndëshkuese, në formën e humbjes së mbështetjes. Kështu thotë për Radio Evropa e Lirë, Aleksandar Popov, drejtues i Qendrës për Rajonalizëm në Novi Sad, ndërsa shprehet se pranimi i planit (propozimit) evropian nga Kosova dhe Serbia vetëm në formë deklarative, pa nënshkrim, nuk nënkupton edhe zbatim të tij.

“Kjo, është edhe arsyeja përse partnerët perëndimorë po u japin edhe pak kohë palëve për ta nënshkruar aneksin e zbatimit. Nëse Serbia nuk e nënshkruan deri në një afat, të cilin Perëndimi e ka caktuar, qoftë së brendshmi, qoftë që ua ka komunikuar palëve, atëherë është e qartë se do të mbështetet pala që tregohet më konstruktive… Ndërmjetësuesit e kanë një lloj skeme të shpërblimeve dhe ndëshkimeve për palët që ata i gjykojnë si konstruktive ose jo në këtë proces”, vlerëson Popov

Perëndimit i ngutet që palët në dialog të arrijnë një marrëveshje sa më shpejt, marrë parasysh zhvillimet në kontekstin gjeopolitik, përkatësisht pushtimin rus të Ukrainës. Por, sipas ndërkombëtarëve, BE-ja dhe SHBA-ja e kanë kuptuar se për një gjë të tillë do të duhen disa hapa në javët dhe muajt në vijim. Pas takimit në Ohër, BE-ja dhe SHBA-ja do të fokusohen në vërejtjet eventuale të palëve lidhur me aneksin e zbatimit të propozimit, ndërsa presin që nënshkrimi i planit të zbatimit të propozimit të BE-së nga Kosova dhe Serbia, të ndodhë deri kah mesi i këtij viti.

Advertisements

“Pas kësaj, palët nuk do të mund t’i shmangin obligimet që dalin nga marrëveshja. As BE-ja dhe as SHBA-ja nuk guxojnë të lejojnë që pas kaq përpjekjeve të investuara, të shkelet kredibiliteti i tyre moral dhe politik, që i gjithë ky rrëfim të përfundojë pa një rezultat konkret. Ata i kanë levat për t’i detyruar të dyja palët dhe ato do t’i përdorin me kohë, në qoftë se do të ketë rezistencë nga palët”, mendon Popov.