Një pjesë e konsiderueshme e lagjeve Dizhon, Seravë dhe Gazi Babë gjatë periudhës së fundit kanë pasur mungesë të rrymës elektrike. Qytetarët e këtyre lagjeve të Shkupit ankohen se situata është bërë e padurueshme tashmë kur temperaturat janë nën minus gradë. Qëndrimi i EVN Maqedoni është se në lagjet e apostrofuara hasin në pengesa gjatë përpjekjeve për rikonstruim të rrjetit dhe dislokim të orëmatësve
Omer XHAFERI
Shkup, 23 janar – Në kohë dimri, kur Qeveria me të madhe e mbështet fushatën për mos shfrytëzimin e shporeteve me dru me qëllim parandalimin e ndotjes së ajrit, banorët e lagjeve Dizhon, Seravë e Gazi Babë në Shkup, ballafaqohen me mungesë të rrymës elektrike. Kjo problematikë me të cilën përballen qytetarët e kësaj ane të Komunës së Çairit, përsëritet pothuajse çdo vite në kohë dimri. Ankesat për këtë gjendje të mjerueshme, përpos që i kanë adresuar te autoritet përkatëse, banorët gjithashtu i kanë shprehur edhe në rrjetet sociale. Sipas tyre, nuk do koment se rrjeti i rrymës elektrike në disa pjesë keqpërdoret, megjithatë vlerësojnë se nuk është e ndershme të vuajnë paguesit e rregullt. Aq më pak në këtë periudhë kur temperatura e ditës shkojnë deri në minus 10 gradë. Në kurriz të keqpërdoruesve, banorët e këtyre lagjeve, theksojnë se më tepër vuajnë fëmijët dhe pleqtë.
Lidhur me këtë situatë, nga EVN Maqedoni njoftojnë se viteve të fundit kanë bërë përpjekje që të realizojë projekt për rekonstruim të rrjetit dhe dislokim të orëmatësve me qëllim të përmirësimit të furnizimit dhe gjendjes së rrjetit në Komunën e Çairit (në disa pjesë të komunës). Mirëpo, nga atje bëjnë të ditur se realizimi i këtyre investimeve është i vështirësuar për shkak të rezistencës së shfaqur nga ana e një pjese e banorëve të këtij rajoni.
“Gjatë çdo intervenimi nga ana e Elektrodistribuimi në këto lagje, ekipet ballafaqohen me kërcënime verbale dhe sulme fizike. Nën kushte të tilla, ekipet nuk janë në gjendje t’i kryejnë detyrimet e punës si dhe ta realizojnë obligimin ligjor për furnizim të papenguar dhe të sigurt me energji elektrike të konsumatorëve. Nga ana tjetër, gjatë periudhës së dimrit – konsumi i energjisë elektrike rritet ndjeshëm për shkak të temperaturave të ulëta, si dhe kryesisht për shkak të lidhjeve të paligjshme dhe vjedhjeve të energjisë elektrike nga ana e një pjese e konsumatorëve, e me këtë paralelisht rriten edhe problemet e banorëve lokal”, arsyetohen nga EVN Maqedoni. Po ashtu, ata nënvizojnë se në këtë rajon, gjatë periudhës së fundit janë vërejtur edhe hyrje të paautorizuara në trafostacionet distributive në të cilat në mënyrë të paligjshme vendosen siguresa që janë të papërshtatshme dhe mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme të pajisjeve dhe njëkohësisht ndërprerje të energjisë elektrike për periudhë më të gjatë kohore në rajon.
“Veprimtari të paligjshme janë vërejtur edhe në rrjetin mbitokësor distributiv. Për këtë situatë janë të informuara të gjitha institucionet kompetente dhe janë të ndërmarra të gjitha masat ligjore”, njoftojnë nga EVN. Krahas mungesës së rrymës elektrike këto banorë ditëve të fundit kanë qenë edhe dëshmitar të djegies së shtyllave dhe poçeve elektrike. Mbingarkesa e rrjetit elektrik mendohet të jetë njëra prej arsyeve që ka sjell deri krisjen e kabllove përçuese. Problem me rrymën elektrike gjithashtu në muajin janar kanë pasur edhe banorët e lagjes së Kalasë, e cila bie në Komunë Qendër. Në bashkëpunim me EVN, siç njoftuan autoritet e kësaj komune, e kanë zgjidhur defektin e krijuar dhe kanë siguruar rrymë elektrike me fuqi më të lartë. Si arsye të këtij defekti ata e kanë theksuar kyçjen ilegale. Për këtë shkak, nga Komuna Qendër, kanë apeluar deri te banorët e kësaj lagjeje që sahatet e rrymës nga oborret dhe brendësitë e shtëpive të tyre t’i vendosin në vende të hapura nga ku drejtpërdrejtë do të rregullohet kyçja në rrjetin elektrik.
Ndryshe, fushata e Qytetit të Shkupit, që shporetet të zëvendësohen me kondicioner inverter vitin e kaluar ngjalli interes të madh te shumë qytetarë, përfshi edhe ato të lagjeve në fjalë. Vlerësimet autoriteteve të qytetit janë se këtë dimër – në Shkup, janë shkyçur mbi 4 mijë oxhaqe, gjegjësisht kjo nënkupton se po aq shtëpi tashmë ngrohen me rrymë elektrike. Mirëpo, marrja e subvencioneve për inverter kondicioner në vetë ngërthente edhe kushtin që nëse qytetarët të cilët i kanë fituar këto pajisje për ngrohje, kapen se shfrytëzojnë sistem tjetër të ngrohjes (dru, qymyr), atëherë të njëjtit obligohen t’i kthejnë të hollat. Kontrollet në terren, sipas paralajmërimeve të Qytetit të Shkupit, do të bëhen pa paralajmërim dhe do të kenë për qëllim konstatim e faktit se vallë fituesit e inverter kondicionerëve ngrohen vetëm me këtë sistem, ose kanë ndonjë mënyrë tjetër të ngrohjes që e ndotë ajrin. (koha.mk)