Zejnulla VESELI
Shkup, 14 korrik – Kryeparlamentari Talat Xhaferi e hodhi poshtë propozimin e kryeministrit Zoran Zaev, i cili gjate diskutimit për planin e Qeverisë 3-6-9 në seancën e Komisionin për Çështje Evropiane, kërkoi që të thirret seancë e mbyllur për opinion, ku do të diskutohej për draft marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, e cila së shpejti pritet të nënshkruhet nga qeveritë e të dy vendeve. “Kemi marrëveshje me Bullgarinë që e kemi prezantuar edhe në opinion. Unë e lus Kuvendin, të martën të ftojë seancën në Kuvend që të arsyetojë marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Maqedoninë. Qëllimi im është që të gjithë bashkë ta shqyrtojmë dhe pastaj qeveria ta shqyrtojë dhe publikisht ta nënshkruajmë. Ju keni bërë shumë si qeveri paraprake, ndërsa ne duhet ta kryejmë”, tha Zaev. Ndaj këtij propozimi reagoi kryetari i parlamentit të Maqedonisë Xhaferi, i cili tha se nga dita e hënë e deri më 27 korrik Parlamenti nuk do të mbajë asnjë seancë plenare. “Nga e hëna në procedurë parlamentare është rishikimi i buxhetit dhe derisa komisioni shqyrton buxhetin rregullorja e punës së parlamentit nuk lejojnë thirrje të seancave parlamentare deri më 27 korrik kur duhet të përfundon komisioni për financa dhe buxhet me shqyrtimin e rishikimit të buxhetit”, tha Xhaferi. Këto komente kryeministri Zaev dhe kryeparlamentari Xhaferi i bënë në seancën e Komisionit për çështje evropiane, në të cilën seancë u prezantua plani i qeverisë nga zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani, i cili apeloi deri të deputetët e pozitës dhe opozitës të votojnë planin 3-6-9. Kryeparlamentari Xhaferi tha se prezantimi i planit 3-6-9- para deputeteve dëshmon përcaktimin e sinqertë të Qeverisë dhe shumicës parlamentare që reformat e parapara i bëjmë për qytetarët dhe shoqërinë në përgjithësi. “Prezantimi i planit para deputeteve dhe opinionit ka për qëllim që opozita të mund në mënyrë transparente të propozon dhe kritikon. Mirëpo, sipas mendimit tim, disa veprime të opozitës të cilat ditëve të fundit i sheh opinioni dhe faktori ndërkombëtare nuk i ndihmojnë demokracisë, reformave të duhura dhe proceseve integruese në BE dhe NATO”, tha Xhaferi. Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani kërkoi nga partia opozitare të voton planin 3-6-9, sepse gjykuar sipas opinioneve të fundit nga Brukseli dhe SHBA-ja, arrijnë sinjale pozitive se Maqedonia po shkon drejt integrimit në BE- dhe në NATO. “Samiti i fundit të Trieshtë tregoi qartë një politikë të re më aktive për integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO. Plani 3-6-9 është si rrjedhojë e Marrëveshje së Përzhinos dhe u përmbahet rekomandimeve te Pribes, të cilat në tre mujorin e parë duhet të realizojmë si Qeveri reformat në drejtësi si dhe të zyrtarizojmë përdorimin e gjuhës shqipe, për të cilin pritet mendimi i Komisionit të Venecias që i njëjti të gjendet në seancë parlamentare për miratim”, tha Osmani. Edhe kryeministri Zaev deklaroi se plani 3-6-9 i Qeverisë hap rrugën euro-atlantike të vendit dhe përmban reformat thelbësore të nevojshme për integrim dhe kërkoi nga partitë opozitare të votohet ky plan. “Në pakon e parë të këtij plani është edhe ligji për gjuhën shqipe për të cilin do të priten edhe rekomandimet e Komisionit të Venecia dhe se ky ligj i cili më tani është i harmonizuar me parterët e koalicionit qeveritar, së shpejti do të miratohet nga qeveria dhe i njëjti do t’i dorëzohet parlamentit për miratim”, tha ai
VMRO DHE BESA NUK E VOTOJNË PLANIN “369”
Koordinatori i VMRO-së, Ilija Dimovski deklaroi nuk do ta votojnë planin 3-6-9 për shkak se, siç tha, partia me më shumë deputete në Parlament aspak nuk është përfshirë në përgatitjen e këtij plani. “Gjithmonë plane të këtilla janë përgatitur pas marrjes së raport progresit nga BE-ja dhe në bazë të raportit janë bërë plane ku janë përfshirë të gjitha partitë në përgatitjen se çfarë masa duhet të merren deri në raport progresin e ardhshëm të BE-së. Prandaj edhe nuk e votojmë këtë plan jo vetëm për faktin se partia VMRO nuk është pjesë e këtij plani, por edhe pse se plani është përgatitur para se të marrim raport progresin e Maqedonisë nga BE-ja”, tha Dimovski. Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi tha se edhe ata nuk do të mbështesim planin 3-6-9 jo vetëm për shkak se shumica parlamentare nuk e ka konsultuar BESËN për Ligjin e gjuhëve, por për shkak në vend se të ngritet grup ekspertësh në nivel të parlamentit, Qeveria e dërgon në Komisionin e Venecias. “Që në 100 ditshin e parë kjo Qeveri ka dështuar me reformat e para sipas planit 3-6-9. Jemi kah fundi i 100 ditëshit të parë dhe nga rendi i ditës u hoq shkarkimi i prokurorit publik Zvërlevski, ndërsa ligji për përdorimin e gjuhës shqipe as që mund të vij në rend ditë në seancë plenare para mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Prandaj, Lëvizja “BESA” ka përgatitur Ligj për përdorimin e gjuhës dhe të njëjtin së shpejti do ta propozojmë në seancën e ardhshme plenare në Parlament”, tha Zekirja Ibrahimi nga Lëvizja “BESA”.