Universiteti i të ardhmes nuk guxon të jetë shprehje e pasqyrave të thyera që na paraqiten sa herë që na mungon kurajoja të flasim hapur për gjumashët me tituj shkencorë të cilët pensionohen duke mbajtur të mbyllur nëpër sirtarë doktoraturat e marra “frajk e frajk”
Nga Emin AZEMI
Sa është e arsyeshme dhe e logjikshme që për problemet e universiteteve të protestojnë vetëm studentët? Ose, sa ato probleme janë të diferencuara, në mënyrë që të dihet se kush për çka duhet të mbajë përgjegjësi. Kështu siç po shkojnë punët, po fitohet përshtypja sikur vetëm studentët kanë probleme, kurse vetë universitetet, gjegjësisht stafi akademik, jo që s’kanë problem, por bile me heshtjet e tyre sikur po trashin murin në mes tyre dhe studentëve.
Çfarë kuptimi, fundja, do të kishte jeta universitare nëse nuk ka një interaksion pedagog-studentë për shumë çështje të hapura dhe sa po funksionon ky interaksion te ne?
A ka të ngjarë që shumë pedagogë teksa dëgjojnë protestën studentore në oborr të universitetit, të mbyllin dritaren e kabinetit që të refuzojnë çfarë do thirrjeje që mund të trazojë ndërgjegjen e tyre?
Pakënaqësitë studentore kanë adresë. Përpjekja për ta çorientuar këtë adresë, herë duke e drejtuar nga Ministria e Arsimit, e herë duke i dhënë dimension politik, duke amnistuar në tërësi universitetet dhe vetë stafin akademik, është shërbimi më i keq që mund t’i jepet arsimit aktualisht. Është rruga qorre që qëllimisht vizatohet në rrugëtreguesit e zgjidhjeve funksionale, në vend që problemet të detektohen aty ku edhe ekzistojnë realisht.
Universitetet i kanë dy tipe thelbësore të problemeve: koston financiare, përfshi edhe kushtet sociale dhe nivelin e ulët të performancës akademike. Përderisa grupi i parë i problemeve është bare kryesisht e shtetit, i dyti është i vetë universitetit. Çuditërisht për këtë grupin e dytë shumë pak flitet, madje edhe vetë studentët sikur janë të prirur që të heshtin, sepse u mungon kurajoja të drejtojnë gishtin nga ata pedagogë që marrin rrogë kot, ose marrin më tepër se sa i kanë cilësitë.
Nesër mundet edhe të përmirësohen kushtet nëpër universitete, madje shteti të tregohet më dorëlirë edhe në uljen e tarifave, edhe në ndërtimin e komplekseve të banimit për studentët, por askush nuk është i sigurt nëse do të vazhdojmë edhe më tutje të kemi këtë nivel akademik-shkencor të pedagogëve me tituj bombastik që nuk kanë guxim t’i botojnë tezat e tyre të doktoraturës, sepse arsyet i dinë ata vetë.
Nëse do të vazhdojmë edhe më tutje t’i shohim pedagogët më shpesh nëpër studio televizive se sa në auditoriume të universiteteve.
Nëse do të vazhdojmë edhe më tutje të kemi pedagogë, të cilët anëtarësimin në parti e kanë garancë për shmangien e leksioneve në universitet, ku edhe i marrin rrogat, krahas të ardhura të tjera që i vjelin nëpër borde e komisione të ndryshme.
Jo rrallë kemi dëgjuar ankesa për trajtim jo adekuat të universiteteve sa i përket mjeteve që ndahen nga buxheti. Me të drejtë janë shprehur edhe pakënaqësitë për zëra të caktuar buxhetorë, por ama asnjëherë nuk janë bërë analiza të detajuara se sa puna (e munguar) kërkimore -shkencore e profesorëve universitarë kanë qenë në (shpër)përputhje me të ardhurat e tyre.
Universiteti i të ardhmes nuk guxon të jetë shprehje e pasqyrave të thyera që na paraqiten sa herë që na mungon kurajoja të flasim hapur për gjumashët me tituj shkencorë të cilët pensionohen duke mbajtur të mbyllur nëpër sirtarë doktoraturat e marra “frajk e frajk”. (koha.mk)