Omer XHAFERI
Shkup, 20 qershor – Prej 10-të deri në 15-të aktgjykime në vit kundër Maqedonisë i sjell Gjykata e Strasburgut. Ndërsa ish gjykatësja e kësaj gjykate Mirjana Lazarova-Trajkovska, këto aktgjykime i vlerëson se janë “Për Maqedoninë”. Krahas këtyre vendime, sipas ish gjykatëses Trajkovska, kolegjiumi i gjykatësve që i shqyrton lëndët e pranuara nga Maqedonisë, brenda vitit i refuzon tre deri në katër kërkesa të palëve që i kundërshtojnë vendimet e instancave gjyqësore të vendit tonë, shkruan gazeta KOHA. Për dallim nga muaj më parë, kur kjo gjykatë solli vendim në favor të “Selmanit dhe të tjerëve”, së fundmi Gjykata e Strasburgut ka konstatuar se instancat gjyqësorë të Maqedonisë, kanë bërë shkelje gjatë shqyrtimit të ankesave të Qendrës për zhvillim të psikologjisë analitike (QPA). Procedura gjyqësore e iniciuar nga QPA-ja, para Gjykatës së Strasburgut, ka të bëjë me mosrespektimin e marrëveshjes të cilën ata e kanë nënshkruar me Fondin për sigurim shëndetësor. Në arsyetimin e lëndës së dorëzuar para kësaj Gjykate për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, drejtuesit e QPA-së janë thirrur në nenin 6 të Konventës Evropiane, e cila kryesisht lidhet me procedurën e drejtë gjyqësorë. Qasja e drejtë deri në gjykatë dhe shkelja e të drejtës për mbrojtjen e pronës, dispozita këto të rregulluara me nenin 1 të Konventës Evropiane për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, ka qenë shkaku kryesor që QPA-ja ka vendosur që drejtësinë ta kërkoj në gjykatat ndërkombëtare.
”Aktgjykimet që miratohen në Strasburg e që lidhen me shtetin tonë, përmbajtjen mund ta kenë me shkelje të Konventës ndërkombëtare, mirëpo qëllimi i gjykatës është që të dëshmojë faktin se edhe gjykatat nacionale dinë0 t’i përpunojnë ankesat e caktuara. Ndërsa në pjesën kur vërtetohet shkelja e një të drejte, si për shembull “Selmani dhe të tjerëve”, atëherë zakonisht me konstatimin e shkeljes, ai mund të gjykojë me kompensim të drejtë, por jo çdo herë Gjykata e Strasburgut sjell vendim për kompensim të drejtë, përveç në rastet kur plotësohen kushtet e të drejtës së konventave”, thotë për gazetën KOHA, ish gjykatësja Trajkovska.
Duke bërë dallimet e viteve të kaluar dhe situatës aktuale, ekspertja juridike e të drejtës ndërkombëtare, Trajkovska, thotë se gjykatat në vendin tonë kohës së fundit kanë bërë një ndryshim të vogël-përparim sa i përket shfrytëzimit të praktikës gjyqësor nga Gjykata e Strasburgut. “Megjithatë, vlerësoj se kjo nuk mjafton dhe jam e mendimit se duhet kohë që gjykatat tona të mësohen se si duhet të përdoret praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut. Duke e shikuar mënyrën e punës së gjykatave te ne, shoh se po bëhen tentime për përdorimin e praktikës gjyqësore nga Strasburgu dhe kjo mund të vërehet te Gjykata Themelore, e cila shpesh thirret në praktikën e Gjykatës së Strasburgut”, nënvizon Trajkovska. Mes tjerash, ajo shton se kjo praktikë e domosdoshme për harmonizimin me të drejtën ndërkombëtare, më mirë do të zbatohej nga gjykatat nëse ishin organizuar trajnime dhe punëtori për gjykatësit, respektivisht ajo potencon se praktika gjyqësore e Gjykatës së Strasburgut, duhet të përfshihet në sistemin e lartë arsimor si lëndë e veçantë në universitete dhe fakultet e drejtësisë. Ndryshe, ajo thotë se e drejta e konventave nuk është vetëm e drejtë e tyre, por konventat, së bashku me praktikën gjyqësore, gjegjësisht praktika gjyqësore për të gjithë lëndët e Maqedonisë, e obligon shtetin që të veprojë në bazë të atyre lëndëve dhe aty ku është konstatuar shkelje, instancat gjyqësore t’i përmirësojnë vendimet e tyre të ardhshme.
Ndryshe, ditë më parë pala mbrojtëse e të dënuarve për rastin e “Brodecit”, janë shprehur të zhgënjyer nga refuzimi i ankesës nga Gjykata evropiane për liritë dhe të drejtat e njeriut. Lidhur me këtë lëndë, ata vlerësojnë se gjykata ka bërë precedencë, sepse ka lejuar që në marrjen e vendimit të bëjë pjesë edhe gjykatësi Jovan Ilievski, i cili ka drejtuar Prokurorinë Publike për krime të organizuara në vendin tonë, në kohën që lënda është gjykuar në Maqedoni.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara