Nisma globale kundër krimit të organizuar ditë më par ka publikuar në Vjenë raportin në të cilin analizohen rrjedhat dhe ‘vatrat’ e krimit të organizuar në Ballkan, ku Maqedonia e Veriut zë vend qendror. Ndodhë, siç e thotë Raporti, që „ pas mesnatës, rreth orës 3 të mëngjesit, policët dhe doganierët shpesh marrin urdhra nga shefat e tyre që ti fikin kamerat dhe ti mbyllin sytë nja gjysmë ore. Për këtë, kuptohet, marrin dhurata adekuate….”
Emin AZEMI
Lubeteni sërish gdhiu me helmeta e autoblinda policore. Banorët lokalë thonë se në shtëpitë e tyre kishin depërtuar njerëz të mrrolur dhe uniformuar, të cilët po kërkonin duhan. Fëmijët mëngjesin e djeshëm e kishin pritur të frikësuar, kurse shumë banorë nuk e kishin të qartë se pse kishte nevojë të demonstrohet një brutalitet kaq i madh policor.
Kryebashkiaku i Butelit, Velimir Smilevski, iu tha mediave se ‘duhani nuk është ilegal, por është prodhim i fituar me djersën e familjeve të lubetenasve’.
Drejtoria e Policisë Financiare e ka arsyetuar aksionin e djeshëm me dyshimin se gjoja bëhet fjalë për “kontrabandë me mall të akcizës dhe me mashtrim doganor”.
Kjo është edhe një goditje që i bëhet Lubetenit, pas aksionit famëkeq që e kishte udhëhequr në 2001-shin ministri i atëhershëm i Brendshëm, Boshkovski, me ç’rast forcat e sigurisë vranë shtatë civilë shqiptarë.
Një aksion policor që fillon ora pesë të mëngjesit pa kurrfarë paralajmërimi dhe pa kurrfarë komunikimi paraprak me strukturat lokale të fshatit dhe me segmente të caktuara të pushtetit vendor e qendror, ku participojnë edhe partitë politike shqiptare, del të jetë komplet i zhveshur nga qëllimi fillestar: luftën kundër kontrabandës.
Nëse Policia financiare e ka ideuar kështu, në këtë mënyrë dhe në këtë stil, luftën kundër kontrabandës, ky është dështimi më lapidar që mund të ndodhë, për arsye se kontrabanda nuk luftohet duke terrorizuar civilë të pafajshëm dhe fëmijë në gjumë, ndërkohë që kontrabanda e “kontrolluar” po lulëzon nëpër kufij dhe atje shteti në ora 3 të natës bëhet sikur po bën gjumë!
Sipas raportimit të mediave në gjuhën maqedonase, “momentalisht në Maqedoni ekziston një skemë e përpunuar kriminale që merret me kontrabandën e cigareve nga Bullgaria, e cila punon me lejen e përfaqësuesve më të lartë qeveritarë, udhëhequr nga Zoran Zaev, Oliver Spasovski dhe bashkëpunëtorëve të tyre në MPB, në Policinë Kufitare dhe në Drejtorinë e Doganava. Kamionë me tabela bullgare të mbushur plot me pako cigare të markave të ndryshme, mbërrijnë nga Bullgaria në vendkalimin kufitar Zllatarevo-Novo Sello dhe përmes vendkalimit Dojran-Dojrani shkojnë në Greqi. Pas mbërritjes së kamionëve bullgarë në territorin e Maqedonisë, në afat prej 24 – 48 orëve bëhen gati dokumentet e rrejshme për re-eksport të mallit të prodhuar gjoja në Maqedoni që duhet të transportohet në Greqi dhe në këtë mënyrë maskohet ngarkesa e vërtetë të cilin e transportojnë kamionët bullgarë”.( magazin.mk, 7 shtator 2018)
Por, rrëfimi për kontrabandën e “kontrolluar” nga segmente të caktuara të pushtetit nuk përfundon me kaq. Magazin.mk zbulon se “shuma minimale që i paguhet njerëzve të pushtetit për transport të papenguar të 2 deri 3 kamionëve të tillë në nivel javor arrin 50.000 euro, ose 2.5 milion euro para të zeza në vit, për 100 deri 120 kamionë”.
Nisma globale kundër krimit të organizuar ditë më pare ka publikuar raportin në të cilin analizohen rrjedhat dhe ‘vatrat’ e krimit të organizuar në Ballkan. Ky raport që ishte prezantuar në Vjenë, vënte në dukje faktin se Ballkani gjithmonë ka qenë rajon tranzitor i aktiviteteve jolegale, kurse Maqedonia e Veriut aty zë, po thuajse, vendin qendror. Aeroportet, vendkalimet kufitare, por edhe gjithë brezet kufitare, piketohen si ‘vatra’, apo ‘hotspots’, siç i cilëson Raporti, vendet ku kryhet ‘biznesi’ – si pika më kritike që i japin puls krimit të organizuar.
Raporti e veçon Bogoridicën si “pikë tranzitore e tregtisë me heroinë…”, e cila tolerohet nga autoritetet. Por, ndodhë, siç e thotë Raporti që „ pas mesnatës, rreth orës 3 të mëngjesit, policët dhe doganierët shpesh marrin urdhra nga shefat e tyre që ti fikin kamerat dhe ti mbyllin sytë nja gjysmë ore. Për këtë, kuptohet, marrin dhurata adekuate….” (presscentar.mk, 22.05. 2019).
Ndërkaq, sipas Raportit të Nismës globale kundër krimit të organizuar, si qytetet më problematike që konsiderohen ‘vatra’ të krimit të organizuar, cilësohen Shkupi, Velesi, Shtipi, dhe Koçani, kurse Velesi, megjithatë, veçohet si një prej udhëkryqeve kryesore të tregtisë së drogës në Ballkan. Jo rastësisht, thuhet në Raport, pikërisht në Veles lindi e ashtuquajtura ‘Mafia e Frankfurtit’, një prej unazave më të mëdha të kontrabandës në Gjermani dhe tregtisë së heroinës në Austri.
„Në ‘moshën e tyre të artë’, disa qindra të rinj nga Velesi (shumica prej tyre me pasaporta bullgare) shesin drogë në rrugët e Austrisë dhe Gjermanisë. Një pjesë e profitit të këtyre aktiviteteve ilegale sipas të gjitha gjasave është dërguar në diskotekat, kafeteritë, restorantet dhe bastoret e Velesit”, thuhet në Raport, duke shtuar se qyteti i Shtipit është evidentuar i treti në listen e pikave të nxehta dhe “është vendosur në korridorin e mbushur plot me aktivitete kriminale, të kontrolluar kryesisht nga maqedonasit etnik. Në aktivitete kriminale janë të përfshirë tregtia me drogë, kontrabandë me cigare, si dhe reketi…”.
T’i kthehemi edhe njëherë Lubetenit. Politika e ndëshkimit në rajonet e banuara me shqiptarë po vazhdon, kurse të gjithë ata që kishin menduar se votat e shqiptarëve do ta kenë shkundur paksa nacionalizmin qeveritar maqedonas, dje kanë mundur të dalin të zhgënjyer. Të gjithë ata shqiptarë që kishin votuar në zgjedhjet e fundit dhe parafundit partinë e Zaevit (përfshi edhe ata të Komunës së Butelit, ku bën pjesë edhe Lubeteni), do të duhej ta analizojnë buzëqeshjen e ngrirë të fëmijëve të përgjumur të këtij fshati.
Në Lubeten dje ranë shumë maska, kurse besimi i humbur në ata që e ideuan këtë aksion mund të jetë fillimi i fundit të një mashtrimi (jo vetëm) elektoral. Mashtrimi më i madh ndodhë atëherë kur kontrabanda bëhet me besimin e dhënë, aty ku nuk ka vend më për kurrfarë kontrabande tjetër.
Banorët e Lubetenit që kanë mbet pa caktuar termine në ambasadat e huaja, sigurisht që tash e tutje do të mendojnë më seriozisht si të huazojnë pak lekë për të siguruar bileta njëkahëshe. Ato pak para që ata fitonin me djersën e qullur në fletët e duhanit, tash e tutje do të mungojnë, kurse vaji i fëmijëve për qumështin e pa blerë do të jetë një notë e dhimbshme në pentagramin e politikave të çoroditura sociale që asnjëherë nuk trokitën në dyert e varfra të shqiptarëve.
Në Lubeten shteti ka komoditet të dërgojë autoblinda e policë me rroba lufte për të rikthyer skenat tmerruese të 2001-shit, por asnjëherë ky shtet nuk arriti të na shpjegojë se si po ballafaqohet me “kontrabandën me mall të akcizës dhe me mashtrim doganor” në Strumicë, Vallandovë, Tikvesh, Prilep e gjetiu.
‘Një shoqëri për të gjithë’ të cilën po e propagon në ajër kryeministri Zaev, nuk mund të funksionojë përderisa fermerët e fshatit të tij (të pafiskalizuar) janë shumë superior, në çdo aspekt, kundrejt hallexhinjve të Lubetenit.