Situata më shumë vështirësohet gjatë periudhës së reshjeve të shiut kur fillon edhe të pikojë objekti. Evidente janë edhe të çarat nëpër muret e shkollës brenda dhe jashtë saj
Urim HASIPI
Tetovë, 9 tetor – Gjendja e rëndë infrastrukturore në të cilën ndodhet shkolla e mesme e mjekësisë në Tetovë, ka bërë që drejtuesit e arsimit në Tetovë të angazhojnë ekspertë për të konstatuar situatën e objektit dhe qëndrueshmërinë e tij. Më pas, ata kanë njoftuar edhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për problemet që ka ky objekt, ndonëse i ndërtuar para 15 vitesh. Situata më shumë vështirësohet gjatë periudhës së reshjeve të shiut kur fillon edhe të pikojë objekti, shkruan gazeta KOHA.
Evidente janë edhe të çarat nëpër muret e shkollës brenda dhe jashtë saj. Për këtë situatë, të cilën e alarmuan autoritetet e shkollës kohë më parë, nga Komuna e Tetovës thonë se ndërtimi i së njëjtës është bërë para 15 vitesh nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në një periudhë kur të gjitha kompetencat në arsim i kishte pushteti qendror. Tërë procesin e ka udhëhequr pushteti qendror që nga projekti, furnizimi publik e deri tek realizimi, thotë përgjegjësit për arsim në Komunën e Tetovës.
“Në atë periudhë, komplet kompetencat për menaxhim në sferën e arsimit kanë qenë tek pushteti qendror, pra ende nuk ka qenë i miratuar procesi i decentralizimit. Nga ajo që e dimë dhe në bazë të dokumenteve, ne nuk kemi asnjë njohuri me objektin që nënkupton duke filluar nga projekti, furnizimi, realizimi e deri në pranimin teknik. Nuk kemi dokument të tillë, unë nuk e kam, por edhe kompetentët e shkollës nuk posedojnë një dokumentacion të tillë”, tha Ahmet Qazimi, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës. Por, edhe gjatë ndërtimit të objektit ishin bërë shumë lëshime, thonë autoritetet e Komunës së Tetovës. “Objekti ishte ndërtuar nën nivelin e kanalizimit dhe kishte probleme dhe është dashur të bëhet një intervenim shtesë që të zgjidhet një problem i tillë. Kemi pasur edhe rënie të fasadës në një pjesë të shkollës, rrjedhje nga kulmi, po ashtu kemi patur edhe probleme tjera të cilët nga viti në vit paraqiteshin”, tregon Qazimi.
Sipas tij, duke patur parasysh gjithë këto probleme që dilnin në sipërfaqe, drejtuesit e arsimit në Tetovë së bashku me autoritetet e shkollës kanë bërë një ekspertizë profesionale të gjendjes faktike të shkollës me ekspertë të licencuar. “Me gjendjen e konstatuar njoftuam MASH-in, si themelues të shkollës në atë periudhë dhe kemi interesim nga ata të kërkohet zgjidhje rrënjësore për këtë çështje. Jemi në pritje, e kemi bërë edhe lobimin e duhur që sa më shpejtë të kemi një intervenim apo konstatim të gjendjes dhe këto vërejtje që janë të përcaktuara në ekspertizën nga ana e ekspertit ligjor , të evitohen, të intervenohet dhe të mos kemi probleme që janë në lidhje me objektin shkollor”, theksoi udhëheqës i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës.
Ai informoi se komuna ka bërë intervenimet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit mësimor, por për intervenime më të mëdha në objekt, nevojitet që investimet ti bëjë Ministria e Arsimit dhe Shkencës. (koha.mk)