Gjithsej 910 ish shfrytëzues të asistencës sociale me para, të cilët kanë qenë të kufizuar lidhur me shfrytëzimin e të drejtës, për shkak të parave të pranuara me transferim të shpejtë, mund të drejtohen deri te Qendrat për punë sociale në qytetet nëpër Maqedoni dhe kërkojnë t’i realizojnë të drejtat për shfrytëzimin e asistencës sociale në para sërish, paralajmëroi sot ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Mila Carovska.
Ajo sqaroi se në janar të vitit 2015 MPPS e ka ndryshuar rregulloren për konfirmimin e të ardhurave të qytetarëve, që të realizojnë asistencë sociale në para, me atë që ka konfirmuar se nëse shfrytëzuesit pranojnë mbi 50.000 denarë me transferim të shpejtë t’u hiqet e drejta e asistencës sociale me para, dhe se vetëm një muaj më vonë e ka vendosur kufirin mbi 70.000 denarë.
“Dhe tërë kjo është bërë pa bazë ligjore, sepse paratë e pranuara me transferim të shpejtë nuk janë të ardhura për asnjë familje, sepse as nuk tatimohet e as regjistrohen në Drejtorinë e të Ardhurave Publike. Për këtë me ndryshimin e fundit në rregullore lirohen qytetarët nga paratë që i kanë marrë përmes transferimit të shpejtë të mos u llogariten si të ardhura në familjet e tyre, sepse shpesh këto mjete nuk janë nga anëtarët e familjes të cilët kanë për obligim sipas ligjit të kujdesen”, sqaroi ministrja gjatë vizitës në Qendrën e punës sociale në Kumanovë.
Ajo u bëri thirrje këtyre shfrytëzuesve të drejtohen deri te Qendrat, t’i realizojnë të drejtat e tyre, sepse siç tha si Qeveri janë obliguar të punojnë në interes të qytetarëve, dhe shtoi se dënimi i dyfishtë i qytetarëve të cilët materialisht nuk janë të siguruar është vërtet jo korrekt dhe i kundërligjshëm. Vetëm në Kumanovë gjithsej 204 persona e kanë humbur të drejtën e shfrytëzimit të asistencës sociale me para pas miratimit të kësaj Rregulloreje.