Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në mënyrë unanime e ka miratuar sot rezolutën, e cila i lejon OKB-së të monitorojë operacionin e evakuimit në Alepo. Franca, hartuesja e rezolutës ka thënë se marrëveshja është e rëndësishme që të evitohen krime të mëdha nga forcat siriane. Rezoluta e miratuar në Këshillin e përbërë nga 15 shtete, bënë thirrje që OKB dhe institucione të tjera të monitorojnë evakuimin në Alepon lindore ndërsa aty thuhet se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, duhet urgjentisht të konsultohet me qeverinë e presidentit sirian, Bashar al Assad dhe palët e tjera rreth sigurisë së monitoruesve që do të vendosen afër Alepos. Ministri i jashtëm francez, Jean Marc Ayrault ka thënë se miratimi nga të gjitha palët i rezolutës është vetëm hapi i parë dhe se të gjitha palët, veçanërisht Assadi dhe aleatët e tij, Rusia dhe Irani duhet ta implementojnë menjëherë atë. Rezoluta kërkon nga të gjitha palët që menjëherë dhe pa kushte të lejojnë qasje për OKB dhe partnerët e saj në ofrimin e ndihmave humanitare dhe kujdesit mjekësor. Votimi i rezolutës është bërë në kohën kur po zhvillohet evakuimi i civilëve nga Alepo Lindore, nga zona e vetme që vazhdon të mbetët nën kontrollin e rebelëve.