Edhe një premtim për Urën e Kazazëve
Ndonëse premtimet kanë qenë se për dy muaj punimet do të përfundojnë, megjithatë ende nuk ura nuk është funksionale. Sot e kësaj dite, ose gati dy vjet më pas, kjo urë kalohet me vështirësi nga këmbësorët, ndërsa për automjetet ende është e pakalueshme, sepse punët kanë ngelur përgjysmë
Urim HASIPI
Tetovë, 10 janar – Ura e re e ndërtuar e Kazazëve ishte inauguruar gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2017 në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. E njëjta u përurua në një ceremoni të organizuar nga Shtabi zgjedhor i kryetares aktuale të Komunës së Tetovës, Teuta Arifi e cila premtoi përfundimin e shpejtë të saj. Por premtime ishin dhënë edhe më herët – që në vitin 2016, kur kishin filluar punimet. Ndonëse premtimet kanë qenë se për dy muaj punimet do të përfundojnë, megjithatë ende nuk ura nuk është funksionale.
Sot e kësaj dite, ose gati dy vjet më pas, kjo urë kalohet me vështirësi nga këmbësorët, ndërsa për automjetet ende është e pakalueshme, sepse punët kanë ngelur përgjysmë. Nga Komuna e Tetovës vonesat gati se dyvjeçare i kanë arsyetuar me kushtet klimatike, duke dhënë edhe një premtim – se në muajin mars do të përfundohet Ura e Kazazëve. “Ura nuk është përfunduar në kohë për shkak të kushteve klimatike që nuk kanë lejuar të realizohen punimet përfundimtare. Me rregullimin e kushteve klimatike në muajin mars në afat prej 15 ditëve do të bëhet përfundimi i punëve që kanë ngelur, e cila do të mund të përdoret edhe nga automjetet dhe të lehtësojë komunikacionin në këtë pjesë të qytetit të Tetovës”, tha për KOHA, Arsim Nuredini, udhëheqës i Sektorit për veprimtari komunale dhe mbrojtje të ambientit jetësor dhe natyrë pranë Komunës së Tetovës.
Përndryshe, Ura e Kazazëve është një nga monumentet e trashëgimisë nga e kaluara. Kjo urë është ndërtuar në shekullin e 16-të dhe e rrënuar në vitin 1979 gjatë vërshimeve në Tetovë. E njëjta është ndërtuar nga Kazazët apo shtresa e Kazazëve, të cilët në kohën e Perandorisë Osmane kanë qenë punëtorë teknik të ushtrisë osmane, prandaj edhe është thirrur Ura e Kazazëve. E njëjta është rrënuar në vitin 1979 për, siç është thënë, të penguar vërshimin e qytetit nga ujërat e Lumit Shkumbin. Sipas shënimeve, kjo urë përbënte një konstruksion inxhinierik interesant të stilit oriental, me një hark me hapësirë drite të mjaftueshme.
Ura ka qenë e punuar me gurë të gdhendur nga mjeshtrit vendas. Nga Komuna e Tetovës njoftojnë se me lëshimin në përdorim të kësaj ure, dukshëm do të përmirësohet qarkullimi i automjeteve dhe do të lehtësohet komunikacioni në rrugët përreth, sidomos në pjesën e Çarshisë së Epërme. Përndryshe, kur filluan punët në muajin tetor, ura e vjetër prej metali është dislokuar, gjegjësisht konstruksioni që shërbente për qarkullim vetëm të këmbësorëve. E njëjta është shfrytëzuar për qarkullim për qytetarët që kanë pasur punë në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë dhe tek ish objekti i shkollës së mesme të mjekësisë. Krahas kësaj, e njëjta shfrytëzohej nga ana e qytetarëve për punët e tyre në Çarshinë e Epërme.
Megjithatë, në bazë të punëve të kryera deri më tani – nuk është ruajtur aspak pjesa e vjetër e urës si monument i trashëgimisë kulturore dhe e njëjta është ndërtuar prej fillimit. Rikujtojmë se kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi gjatë fushatës theksoi se “bashkë me asfaltimin e rrugës tek stacioni policor në gjatësi prej 370 metrave, trotuareve, ndriçimit dhe kanalizimit atmosferik – është bërë një rehabilitim i dukshëm infrastrukturorë i cili do të ndihmojë në qarkullimit të lirshëm të qytetarëve”. Pranvera e ardhshme, pati thënë ajo, do ta bëjë këtë rrugë me trotuare, kanalizim atmosferik dhe fekal, ndriçim publik si dhe asfaltim të plotë duke filluar nga Çarshia e Epërme e deri tek rruga e Teleferikut. (koha.mk)