Tetovë, 14 nëntor – Në Komunën e Tetovës, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të martën mbrëma ka mbajtur seancën e 165 të saj. Me këtë rast, në këtë seancë është sjellë vendim për nisjen e procedurës për rikategorizimin e rrugës lokale që lidh Komunën e Tearcës me autostradën Shkup-Tetovë përmes nyjes lidhëse në urën e Treboshit. Krahas kësaj, është sjellë vendim për ndërtimin e çerdhes në Komunën e Tearcës.
Në mesin e vendimeve tjera janë edhe përfundimi i projektimit për rrjetin sekondar të gazifikimit në Komunën e Tetovës, ndërtimi i çerdhes në Komunën e Bërvenicës, rregullimi i rrugëve lokale nëpër Komunat e Pollogut si dhe rehabilitimi i lokalitetit Banja e Tetovës. Krahas kësaj, është sjellë vendim për fillimin e ndërtimit të shkollës fillore në Reçicë të Vogël, dhe në Sellcë. Kryeministri Zaev konfirmoi edhe njëherë se ndërtimi i shkollës në Reçicë të Vogël dhe shkollës së mesme “Kiril Pejçinoviç” do të fillojë shumë shpejtë.
“Të dy shkollat janë pjesë e programit, edhe shkolla në Reçicë dhe shkolla “Kiril Pejçinoviç”, leje për ndërtim është marrë nga ana e Komunës së Tetovës dhe unë shpresoj se sektori për investime në pjesën për sferën e arsimit do të japë miratimin për ndërtimin e këtyre dy shkollave, mjetet janë siguruar, dhe besoj shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i tyre. Këto janë një pjesë e vogël e problemeve që përballet Tetova, mos të flasim për shtëpinë e kulturës, pastrimin e deponisë, është duke u asfaltuar bulevardi, sot sjellim vendim për ndërtimin e nyjës lidhëse që duhet t`i ndihmojë Tetovës dhe orientimi i Qeverisë është që të ndihmojë komunat dhe këta mbledhje janë për të parë më afër problemet e tyre”, tha kryeministri Zoran Zaev.
Kryetarja e Komunës së Tetovës tha se me këtë seancë qeveritare tregojmë se do të vazhdojmë të ecim fuqishëm në rrugën që kemi trasuar për zhvillimin dhe përparimin e të gjithë komunave në rajonin e Pollogut. (koha.mk)