Projekti në fjalë pritet të përfundojë në mesin e vitit 2020 dhe në këtë projekt janë të kyçura nëntë komunat e Pollogut
Urim HASIPI
Tetovë, 24 shtator – Ende nuk është dhënë një afat i saktë për fillimin e rregullimit të deponisë në Rusino. Të gjashtë kryetarët e Komunave të Pollogut, përveç atij të Vrapçishtit, dje kanë filluar përpunimin e detajuar për fazat e ndërtimit të kësaj deponie, e cila vite me radhë po zhagitet, shkruan gazeta KOHA.
Me mjetet që janë siguruar nga ana e Ambasadës së Zvicrës, kjo deponi duhet që të zgjidh problemin e mbeturinave të tërë rajonin e Pollogut. Edhe kryetarja e Komunës së Tetovës edhe kryetari i Gostivarit, Teuta Arifi dhe Arben Taravari janë shprehur se kanë biseduar me banorët për të përmbushur kërkesat e tyre. Sipas të parës se Tetovës, ndërtimi i deponisë do të zgjidh një problem me dekada që ka regjioni i Pollogut me deponitë e egra.
“Projekti ka dy faza, faza e parë nënkupton studimin e fizibilitetit për sa i përket trajtimit të mbetjeve dhe masave afatshkurta, veçanërisht linjat e drenazhet e ujërave të zeza që dalin nga deponia dhe ju shkaktojnë dëme qytetarëve të cilët e kanë bërë kërkesë deri tek rajon. Ky projekt kapë vlerën e 7.8 milionë franga zvicerane dhe do jetë në shërbim të të gjithë nëntë komunave të Pollogut”, tha Arifi.
Ndërkohë, nga Komuna e Gostivarit janë shprehur se sipas analizave që janë bërë, deponia Rusino plotëson të gjitha kushtet për të qenë deponi regjionale.
“Deponia Rusino pa dyshim se i plotëson kushtet si deponi regjionale. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me banorët atje, dhe pjesë e zgjidhjes së kërkesave të tyre që janë rreth katër vite dhe këto kërkesa nuk janë marrë parasysh, prandaj edhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me ata që të gjejmë zgjidhje të problemit”, tha Taravari.
Nga Ambasada e Zvicrës kanë theksuar se ky projekt pritet të realizohet me suksese dhe sipas tyre, jo vetëm qe do pastrojë ambientin dhe ajrin, por edhe do të përmirësoj kushtet e qytetareve në këtë rajon.
“Procesi është paraparë të implementohet në dy faza. Faza e parë është e paraparë të filloj me studimin filizibiteti dhe faza e dytë implementimi i projektit për përmirësimin e situatës për mbetjet në këtë rajon. Mendoj se realizimi i projekti është i mirë jo vetëm për pastrimin e ajrit dhe ndotjes, por edhe për përmirësimin e kushteve të qytetarëve të këtij rajoni, dhe shpresoj se ky projekt do të realizohet me suksese”, deklaroi ambasadorja e Zvicrës, Sybille Suter.
Përndryshe, sipas ministrit të Ekologjisë, Sadulla Duraku, problemi është prej kohës së komunizmit. Ai problemin e mbeturinave e ka lidhur me referendumin duke kërkuar që i njëjti të jetë i suksesshëm. Projekti në fjalë pritet të përfundojë në mesin e vitit 2020 dhe në këtë projekt janë të kyçura nëntë komunat e Pollogut.
Ndërkohë, nga Ministria e Ambienti Jetësor janë shprehur se po punohet në gjetjen e një zgjidhje për të gjitha deponitë në nivel shteti. Në ndërkohë, tashmë një kohë të gjatë të gjitha komunat e Pollogut kanë probleme me mbeturinat, duke filluar nga deponia e egër në Tearcë, problemi me mos marrjen e mbeturinave në Tetovë dhe shumë deponi të tjera në fshatrat e Malësisë së Tetovës, kurse komunat tjera përballen me problemin e mbeturinave ndërtimore, të cilët hidhen vend e pa vend, gjithmonë në mungesë të deponisë për këto lloje mbeturinash. (koha.mk)