Driton ZENKU
Gostivar, 15 mars – Të rinjtë e papunë deri moshën 29 vjeç e që kanë mbaruar shkollës e mesme dhe të lartë, do të kenë mundësi të kyçen në punë praktike përmes projektit “Mbështetje për punësimin e të rinjve”, si grand i tretë i Agjencisë për Punësim, shkruan gazeta KOHA. Të rinjtë jo vetëm që do të aftësohen, por njëkohësisht do t’u takojnë edhe mjete financiare prej 6.200 denarë në muaj.“Kjo është një shans shumë e mirë për të gjithë të rinjtë që të mund të marrin pjesë në këtë projekt, të bëjnë praktikë që do të zgjasë 3 muaj dhe do të kenë mundësi të punësohen në kompanitë që do të marrin praktikën”, thotë për KOHA, Hisan Amzai, udhëheqës i Agjencisë për Punësim në Gostivar, i cili bën me doje se projekti edhe këtë vit përkrahet nga Bashkimi Evropian dhe sqaron procedurat e aplikimit. Për realizimin e këtij projekti janë të parapara 18 milionë e 915 mijë denarë dhe ai do të përfshijë 1000 persona në nivel të shtetit. Vitin e kaluar kanë marrë pjesë rreth 3.157 të interesuar për punësim, nga të cilët 1.872 janë punësuar. Paralelisht me projektin për mbështetje për punësimin e të rinjve”, si grand i tretë i Agjencisë për Punësim, vijojnë edhe projekte të tjera për punësimin e personave të papunë dhe kompanitë të cilat dëshirojnë të punësojnë këta persona. Të njëjtit mund të aplikojnë për mjete financiare, gjegjësisht subvencionim për punësim të personave nga kjo kategori. Është hapur edhe shpallja për kreditim të subjekteve juridike për hapje të vendeve të reja të punës, si dhe kreditim për vetëpunësim përmes hapjes së biznesit personal. Udhëheqësi i Agjencisë për Punësim në Gostivar, Hisan Amzai, tha se janë katër shpallje aktive, ndërsa e para u dedikohet personave të papunë deri në moshën 29 vjeçe. Shpallja e dytë u dedikohet personave të papunë por mbi moshën 29 vjeçe, të cilët mund të përfitojnë deri në 11 mijë euro për hapje të biznesit privat. Mikro dhe ndërmarrjet e mesme mund të përfitojnë deri në 12 mijë, me kusht të hapin tre vende pune dhe për çdo punonjës i takojnë nga 4 mijë euro. Amzai sqaron edhe masën aktive për vetëpunësim të personave me invaliditet, e cila është hapur ditë më parë. Të gjithë personat e papunë mund të aplikojnë për grande për vetëpunësim, me vlerë prej 4000 mijë euro të dedikuara për hapjen e biznesit personal. Programi për vetëpunësim përfshin trajnim për sipërmarrësi, ndihmë gjatë zhvillimit të biznes planit të qëndrueshëm dhe regjistrim të veprimtarisë, grante të pakthyeshme në formë të pajisjes dhe materiale dhe udhëheqësisë gjatë fillimit të biznesit. Udhëheqësi i Agjencisë për Punësim në Gostivar, Hisan Amzai, tha se do të mund të aplikohet edhe për vend plotësues pune në kompani për çka, do të fitohet plus 92 mijë denarë, ndërsa për këtë do të vendoset në tetor të këtij viti.Disa vite me radhë në Agjencia për punësim në Gostivar shënohet interesim i madh për këtë masë, e kështu pritet të jetë edhe gjatë këtij viti. Gjatë vitit të kaluar, përmes këtyre granteve në Gostivar janë hapur 61 bizense private, nga persona të papunë. Po ashtu gjatë vitit të kaluar përmes masave dhe subvencionimeve të ndryshme, në Gostivar numri i të papunëve është ulur për mbi 100 persona.Me masat për vetëpunësim sipas planit operativ për vitin 2017 është paraparë të punësohen 1050 persona të papunë dhe të hapen 1000 mikro-biznese të reja në nivel të shtetit. Programi për vetëpunësim përfshin trajnime për sipërmarrësi, ndihmë në krijimin e një plani të qëndrueshëm të biznesit dhe grande të pakthyeshme gjatë fillimit të biznesit. Programi për vetëpunësim po realizohet për të 11 herë me radhë, ndërsa për këtë vit janë paraparë gjithsej 283 milionë denarë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.