Urim HASIPI
Tetovë, 4 mars – Në Tetovë ende nuk ka filluar të ndërtohet Stacioni i ri për ngarkim shkarkim të mbeturinave. Kjo ka bërë që ky stacion në hyrje të Tetovës, të jetë vendi i vetëm ku vendosen përkohësisht mbeturinat, shkruan gazeta KOHA.
Në ndërkohë, sipas informatave jozyrtare, tashmë është përmbyllur tenderi për ndërtimin e stacionit të ri për ngarkim shkarkim të mbeturinave që duhet të ndërtohet në afërsi të fshatit Falisht. Por, se kur do të fillojnë punët, ende nuk ka ndonjë afat të caktuar. “Tenderi është përmbyllur dhe diku rreth 500 mijë euro kushton ndërtimi i këtij stacioni për grumbullimin dhe selektimin e mbeturinave. Edhe marrëveshja është nënshkruar me kompaninë që do të ndërtojë këtë”, theksuan nga Komuna e Tetovës.
Por, situata pritet që të vështirësohet gjatë ditëve në vijim kur banorët e fshatit Banjicë dhe fshatrave përreth deponisë Rusino, mund të bllokojnë sërish rrugën për shkak të mos përmbushjes së premtimeve nga ana e komunave të Pollogut, të cilat paralajmëruan investime në infrastrukturë, por edhe ndërtim të një deponie regjionale. Banorët që jetojnë përreth këtyre fshatrave janë kërcënuar se shumë shpejt do të bllokojnë sërish rrugën, sepse nuk janë përmbushur obligimet bazë të asaj marrëveshje mes banorëve dhe komunave të Pollogut, ku edhe ishte paraparë që të ndërtohet rruga dhe më pas edhe deponia sipas standardeve.
Ndërkaq, drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova –Tetovë, Xhelal Ceka, thotë se në fund të këtij muaji duhet që të fillojnë punimet rreth stacionit të ri të ngarkim shkarkimit në Tetovë. “Janë përfunduar procedurat e tenderimit, si dhe afati për ankesa, pastaj është nënshkruar marrëveshja dhe presim që më së voni deri në fund të muajit të fillohet me ndërtimin e së njëjtës në afërsi të fshatit Falishtë”, thotë për KOHA, Ceka.
Në ndërkohë, lidhur me problemin e shfaqur në Rusino, ku pritet që të ketë bllokim të rrugës për dërgimin e mbeturinave, drejtori Ceka, thotë se ndërmarrja që drejton ai, një kohë të gjatë mbeturinat i dërgon në deponinë Rusino. “Prej muajit maj të vitit të kaluar kur kishim ndalesë në mbeturinat i dërgojmë në Deponinë “Drislla” në Shkup. Në Rusino kemi dërguar vetëm gjatë orëve të natës, por vetëm kur kanë lejuar kushtet klimatike. Gjatë dimrit nuk kemi dërguar atje mbeturina, sepse rruga ka qenë e pakalueshme. Në ndërkohë, në Drislla mbetjet i dërgojmë edhe gjatë orëve të ditës, sepse orari i natës që ishte pjesë e marrëveshjes për dërgimin e mbeturinave në Gostivar, do të bënte që Tetovën ta kishim të stërmbushur me mbeturina“, tha Ceka.
Dhe përderisa kjo situatë me mbeturinat stërzgjatet në Pollog, ende nuk ka asnjë paralajmërim se kur do të mund të ketë një investim më të madh për deponinë rajonale, ku të gjitha komunat e Pollogut do të mund të dërgonin mbeturinat dhe të njëjtat do të recikloheshin. Në ndërkohë, kryetarët e komunave të Pollogut po përfundojnë mandatin e tyre katërvjeçar, por as për këto vite ky problem jetik për banorët e këtyre komunave nuk ka gjetur zgjidhje.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.