Rasti i fundit nuk do të jetë vërtetë i fundit. Kjo është në vazhdën e përpjekjeve historike që janë strukturuar në oborret sekrete të këtij shtetit e të shteteve të huaja për të futur një kalë Troje në mesin tonë. Nuk do mend që misioni është i qartë, për ta marrë kalanë nga brenda
Nga Sefer SELIMI Jr.
Javën e kaluar, Bashkësia Fetare Islame (BFI) me mjaft shqetësim para opinionit publik u shfaq për të dënuar aktin e regjistrimit të një “bashkësie” tjetër islame në vend. Në Gjykatën Civile Themelore në Shkup, gjykatësja Suzana Donçevska sjell vendim më datë 31 Dhjetor 2020 që në Regjistrin unik gjyqësor të kishave, bashkësive fetare dhe grupeve religjioze të regjistroj “Bashkësinë Islame Selefiste”, akt që formalizon dhe institucionalizon dualizmin që ky grup i ka bërë ndër vite BFI-së në organizimin, interpretimin dhe mbarëvajtjen e jetës fetare të myslimanëve në Maqedoninë e Veriut.
Por çka është dhe çka përfaqëson kjo “bashkësi e re islame”? Në fakt, vetëpagëzimi si selefist është një dëshirë për ta ribrenduar lëvizjen vehabiste, një dogmë fundamentaliste e shkollës juridike islamike Hanbelite, e themeluar nga MuhamedBinAbdulVehabi(IbnAbdulvehabi) gjatë shekullit të XVIII në shkretëtirat e Arabisë Saudite. Atëbotë, Abdulvehabi kishte filluar predikimet e tij për nomadët beduin, të bazuar mbi nevojën përreformë të islamit duke e rikthyer në interpretimin dhe praktikimin e tij sipas shembullit dhe mësimit “origjinal” të profetit Muhamed dhe Selefëve (bashkëkohanikët e tij dhe 2 gjeneratat pasuese). Por në thelb të kësaj doktrine dogmatike ishte refuzimi kategorik i modernizimit dhe përshtatjes së islamit me kohën dhe kulturat që ndërvepronte, të përmbledhura në fjalë bida’ që nënkupton risi.
Një karakteristikë tjetër dalluese është edhe interpretimi i fjalëpërfjalshëm i Kuranit dhe haditheve, duke përjashtuar çdo kontekstualizim shpjegues mbi çka në një formë apo tjetër u formësua ideologjia ekstremiste mbi bazat e të cilës u ngritën organizatat terroriste Al-Qaedadhe ISIS. Vehabizmi në shoqërinë tonë ka zënë fill në fillimet e viteve ‘90 përmes fondacioneve e donatorëve nga vendet e Gjirit Persik dhe një plejadë e të rinjve që u shkolluan me bursa të tyre. Të parët që e pranuan dhe filluan ta përhapin këtë rrymë ishin kryesisht figura kontroverse, që kaluan në një transformim radikal nga delikuent në super konservator që me shumë “pasion dhe përkushtim” rekrutonin njerëz, kryesisht të rinj, në “rrugën e drejtë të pendimit dhe shpëtimit”. Ky grup margjinal në fillim u injorua me përçmim dhe tallje nga shumica e shoqërisë për te arritur në pikën ku shtrirja e tyre u “normalizua” në mesin e popullatës dhe të frymëzuar thuajse kryekëput nga këto predikime radikale mbi 154 të rinj iu bashkëngjitën organizatave terroriste në Siri dhe Irak. Aktualisht, në kampet e kurdëve ka ende mbi 20 gra dhe fëmijë – të mbetur peng të ideologjisë që i dërgoi atje në radhë të parë. Kjo nuk nënkupton që çdo ndjekës i tyre është ekstremist i dhunshëm, por shumë studime dhe analiza japin indikacione që ata janë më të prirur për të rënë pre e rekrutimeve në grupe radikale dhe ekstremistësh.
DUALIZMI NDAJ BASHKËSISË FETARE ISLAME
Në shumicën e studimeve të bëra për shkaqet dhe faktorët që mundësuan radikalizmin e individëve dhe rekrutimin e tyre në grupe radikale fetare dhe ekstremistësh të dhunshëm, mungesa e besimit tek institucioni i Bashkësisë Fetare Islame paraqitet në mënyrë të përsëritur, gjë qëmund të kuptohet si rrjedhojë emungesës së transparencës dhe të një sërë skandalesh që e kanë ndjekur BFI-në. Por paralelisht në rrjetet sociale dhe në terren ka pasur një fushatë të fuqishme dhe të mirë-orkestruar dezinformuese nga grupet vehabiste për ta rrënuar kredibilitetin e BFI-së edhe ashtu të brishtë. Qysh në zanafillën e tyre dhe në vazhdimësi, kjo lëvizje ka pasur tendencë dualizmin ndaj BFI-së, që herë nisej nga premisa e konkurrencës ideologjike e herë duke u nisur nga konkurrenca e organizimit të jetës fetare. Në rrjetet sociale ka pasur një bombardim të vazhdueshëm me propagandë fetare, herë duke dhënë interpretime fetare të bazuara në dogmën vehabiste përmes predikuesve karizmatik, e herë duke miratuar, promovuar apo relativizuar akte grupesh ose individësh të inspiruar prej tyre. Nga ana tjetër, shoqata të shumta “humanitare dhe për bamirësi” nën petkun e humanizmit vazhdojnë të operojnë në terren duke organizuar ligjërata fetare në objekte të paautorizuara dhe me ligjërues të paakredituar nga BFI-ja, madje duke pretenduar që ata e mbajnë monopolin e të vërtetës absolute dhe islamit të vërtetë.
Me regjistrimin zyrtar të “Bashkësisë Islame Selefiste” operimi legalizohet plotësisht dhe ato do të mund të themelojnë xhamitë e tyre, të kenë hoxhallarët e akredituar dhe rrjedhë legale të financave, të ngjyera me naftë, për ta mbështetur pa pengesë përhapjen e ideologjisë së tyre. Pra ky dualizëm zyrtarisht krijon një sistem paralel për jetën fetare të myslimanëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe hedh bazat e ndarjes zyrtare që mund të prodhoj pasoja shkatërrimtare, të ngjashme me ato nga vendi i origjinës.
STANDARDET E DYFISHTA
Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet laik e që me Kushtetutë ndan qartazi shtetin nga religjionet, duke saktësuar se shteti nuk do të ndërhy në organizimin e brendshëm të bashkësive dhe jetës fetare, ndërkohë që këto të fundit nuk do të ndërhynë në jetën publike politike dhe punët e shtetit. Deri në vitin 1997 regjistrimi i bashkësive fetare bëhej në polici, ndërsa në vitin 1997 sillet korniza e parë ligjore që rregullon marrëdhëniet me bashkësitë fetare. Në vitin 2007 u miratua ligji i ri për pozitën juridike të kishës, bashkësisë fetare dhe grupit religjioz që rregullon themelimin, statusin, shërbesat e të tjera çështje që lidhen me to dhe mbarëvajtjen e tyre. Dispozitat e këtij ligji saktësojnë se çka, si dhe kush mund të regjistroj një bashkësi fetare dhe grup religjioz, e në nenin 10 të tij qartazi thekson se emri, shenjat e çdo kishe, bashkësie fetare dhe grupi religjioz të ri, duhet të dallohen nga emërtimet, shenjat e kishave, bashkësive dhe grupeve religjioze tanimë të regjistruara. Me futjen në përdorim të Regjistrit unik të kishave, bashkësive fetare dhe grupeve religjioze në vitin 2008, edhe pse paraprakisht ishte e regjistruar dhe plotësisht funksionale mbi 480 vjet, pikërisht me këtë nen dhe me pretekstin se Bashkësia FetareBektashiane e Maqedonisë (BFBM)ka mësim dhe burime identike me BFI, BFBM-sëi refuzohet riregjistrimi. Madje edhe pas nisjes së aplikimit plotësisht të ri, ky grup fetar u vendos para sagës poshtëruese burokratike e që nuk ka përfunduar as sot. Limboja burokratike ligjore përfundoi në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg (GJEDNJ), ku më 14 Prill 2018 u solli vendim në favor të BFBM-së. Edhe pas këtij vendimi me karakter detyrues dhe pas premtimeve të njëpasnjëshme nga udhëheqësia më e lartë shtetërore, përfshirë dhe vetë kryeministrin e vendit, Bashkësia Fetare Bektashiane vazhdon të mos regjistrohet dhe me këtë të privohet nga të drejtat që i takojnë me ligj, përfshirë dhe të drejtën e pronës së tyre mbi Harabati Baba në Tetovë, objekte tjera kulti në Maqedoni dhe mbi 1200 hektarë tokë. Që ironia të jetë edhe më e madhe, disa muaj para se vendimi i GJEDNJ të bëhet i plotfuqishëm është pikërisht gjykatësja Suzana Donçevska që regjistron një grup tjetër me këtë emër me seli në Kërçovë, ndërkohë që grupit legjitim të përfaqësuesve vazhdon t’ju refuzohet kjo e drejtë herë me arsyetime qesharake e herë me arsye banale. Kjo mbase ka të bëjë drejtpërdrejtë edhe me atë që kjo Bashkësi Fetare në themelet e veta përveç ideologjisë fetare e ka edhe atë kombëtare, e kjo e bënë atë imune nga ndikimet e jashtme që vinë nga Lindja. Me regjistrimin e “Bashkësisë Islame Selefite” përdorimi i emërtimit Islame nuk përbën asnjë problem, ashtu siç nuk përbën problem se kanë të njëjtat burime e mësime dhe kryejnë të njëjtat praktika fetare, megjithëse kjo bie ndesh drejtpërdrejt me ligjin për pozitën juridike të kishës, bashkësisë fetare dhe grupit religjioz. Ky është rast për shembull praktik e teorik se si shteti përdor standarde të dyfishta, ku një grupi legjitim përfaqësuesish fetar iu mohohet regjistrimi mbi bazat e njëjta mbi të cilat një grup tjetër regjistrohet.
Rasti i fundit nuk do të jetë vërtetë i fundit. Kjo është në vazhdën e përpjekjeve historike që janë strukturuar në oborret sekrete të këtij shtetit e të shteteve të huaja për të futur një kalë Troje në mesin tonë. Nuk do mend që misioni është i qartë, për ta marrë kalanë nga brenda.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)