Opozitarizmi shqiptar ka nevojë për koncentrim forcash, për kristalizim qëndrimesh dhe për profilim kuadrosh, ndërkohë që skena politike shqiptare, për një reduktim racional të hapësirës së veprimit. Gjithçka tjetër tingëllon mungesë sensi për t’u marrë me punë serioze
Nga Emin AZEMI
Një pushtet është i fortë apo i dobët varësisht prej opozitës. Në Maqedoni pushtetet kanë mbijetuar falë opozitave të pakonsoliduara. Në kampusin politik shqiptar gara politike është kuptuar gabimisht, dhe zakonisht kjo garë është bërë edhe atëherë kur nuk ka pasur një temë substanciale që është shndërruar në kacafytje. Opozita e mirëfilltë ka munguar, ajo ka qenë e pranishme vetëm si dekor i parlamentarizmit. Është për t’u analizuar nga sociologët dhe ekspertët e politikes se si është e mundur që shqiptarët në Maqedoni vazhdimisht kanë shprehur pakënaqësi të theksuar ndaj pushteteve, por në anën tjetër nuk arritën të kenë një opozitë të fuqishme.
Ku po tretet kjo pakënaqësi? Kush po e huazon këtë pakënaqësi për qëllime afatshkurtra? Opozitarizmi i mendjeve të hapura, përfshi ata pak intelektualë e veprimtarë, si nuk arritën të rreshtohen në një front të fuqishëm opozitar, për të imponuar alternative ndaj pushtetit?
Këto dhe pyetjet tjera janë të vlefshme për të qenë pjesë e një debati më të gjerë këtu në Maqedoni, sepse ka kohë që opozitarizmi vuan nga sëmundje foshnjërie nga të cilat nuk po mund të lirohet. Ndoshta “vaksina” e vetme ndaj këtyre sëmundjeve do të ishte ngritja e kapaciteteve intelektuale e krijuese në nivelet e përgjegjësive dhe qasjeve më produktive.
Nuk është zgjidhje formimi i partive të reja, sepse ato siç vijnë shpejt si rosa e mëngjesit, ashtu edhe treten si flluskë sapuni. Trungu etnik në Maqedoni nuk ka hapësirë për shumë parti. Këtu ka nevojë për dy opsione konkurruese, me dallime shumë të vogla në aspekt të metodologjisë së realizimit dhe menaxhimit të resurseve pushtetmarrëse. Të gjithë ata që e shohin zgjidhjen në shumëpartizëm, në fakt i bëjnë një shërbim të mirë defaktorizuesve të shqiptarëve, sepse sa më shumë parti, aq më pak fuqi vendimmarrëse dhe për rrjedhojë pazaret politike bëhen më shumë natën se sa ditën. Në këto pazare shfaqen nën tryezë do interesa meskine për ndonjë post drejtori, ambasadori, anëtar bordi, kryeshefi, kurse mbi tryezë ngelë e papërfunduar kauza e opozitarizmit të shkapërderdhur.
Alkimitë para politike të entuziastëve të vonuar që duan të promovojnë veten lider të mendimit dhe veprimit politik opozitar, por pa i studiuar mirë rrethanat në të cilat ndodhet aktualisht stadi i zhvillimit politik të shqiptarëve, mund të shërbejnë për ndonjë biografi që mund të pasurohet me rrëfime të përgjysmuara të suksesit politik të shqiptarëve të Maqedonisë, por jo edhe një alternativë e vërtetë e të bërit politikë.
Nuk është se neve na kanë munguar partitë politike. Problemi është se janë formuar më shumë parti se sa kemi aftësi të absorbimit të politikës për qëllime pragmatike. Bajraktarizmi primitiv që ende nxjerr krye në mendësinë tonë, burimin e ka te qasja parciale dhe e përkohshme e problemeve që kanë shqiptarët në Maqedoni. Shkapërderdhja e njerëzve nëpër parti dhe lënia anash e shumë prej tyre jashtë partive, ka bërë që qëllimi i luftës politike të humbas orientimin dhe qëllimin. Jo rrallë, është provuar se prej një qëllimi utilitar që ka pasur çdo njëri që ka menduar se bëhet interesant nëse e formon një parti në lagjen a katundin e tij, punët kanë degraduar dhe kanë marrë kahe të kundërt, kurse të admiruarit e djeshëm sot i ke persona të padëshirueshëm për vet rrethin prej nga vijnë. Krejt kjo ka ndodhur për shkak të ambicieve të tepruara për të promovuar personin, në vend të vlerave, për të nxjerrë përfitime individuale, në vend të projekteve që janë në interes të komunitetit.
Opozitarizmi shqiptar ka nevojë për koncentrim forcash, për kristalizim qëndrimesh dhe për profilim kuadrosh, ndërkohë që skena politike shqiptare, për një reduktim racional të hapësirës së veprimit. Gjithçka tjetër tingëllon mungesë sensi për t’u marrë me punë serioze. (koha.mk)