Një shoqëri e organizuar mbi baza të prioriteteve dhe agjendave, nuk ka nevojë për qasje parciale. Shqiptarët në Maqedoni aktualisht janë të “specializuar” për parcializim dhe fragmentim të problemeve, ndërkohë që bota po globalizohet, kurse komunikimi gjithnjë e më shumë po digjitalizohet
Nga Emin AZEMI
Tani kur kurbetçarët kthehen në vendlindje, ndryshon imazhi dhe disponimi i njerëzve dhe si çdo verë, edhe si vjet pritet të përsëritet shumëçka: dasma të zhurmshme, kolona dhe tollovi nëpër rrugë, vajtje ardhje nëpër kufij, e kështu me radhë. Në fakt, vetëm verës ndjehet fuqia dhe prezenca e njerëzve të munguar dhe një mallëngjim i shtuar i pleqve e të sëmurëve. Nënat plaka vazhdojnë ritualin e pritjes dhe përcjelljes së bijve e bijave të tyre, ndërkohë që baballarët me rrudhat e shtuara të ballit, shkojnë përtej kufijve të imagjinatës, atje ku vetëm prindi mendon për gëzimet dhe vuajtjet e fëmijës. Por, gjithsesi, kënaqësi që sjell takimi pas disa muajve, sikur shpejt zbehet me rëndomtësinë e gjerave që humbin në përditshmërinë tone që nuk menaxhohet nga askush. Mërgimtarët vijnë e shkojnë, mirëpo për ta askush nuk organizon një manifestim publik, një pritje pak me dinjitoze nga ana e komunave tona. Përtej kësaj, praninë e mërgimtarëve ne e shfrytëzojmë vetëm për efekte afatshkurtëra që sjell xhepi i tyre, mirëpo askujt s’i kujtohet të organizojë një si tip shkolle verore ku do të shfaqeshin disa nga njohuritë praktike e teorike të mërgimtarëve. Sepse, jo pak prej tyre janë menaxherë kompanish dhe drejtues institucionesh nëpër shtetet e Perëndimit dhe është e pafalshme që këto resurse të mos i shfrytëzojmë, të paktën gjatë ditëve të verës.
Me fjalë të tjera, praninë e mërgimtarëve ne e kemi kuptuar vetëm si çështje private të individëve me ambicie që përfundojnë brenda oborreve të shtëpive. Por askush s’po mendon që këto çështje të marrin edhe një dimension pak a shumë shoqëror e publik. E pakta që mund të bëhet në këtë drejtim, do të ishte formimi i një shoqate që do të evidentonte të gjitha prirjet dhe resurset e mërgimtarëve. Sikur të ekzistonte një shoqatë e tillë në rang kombëtar, problemet do të detektohehin më lehtë dhe ardhjen e mërgimtarëve nuk do ta kuptonim vetëm si çështje personale të individëve, por edhe si preokupim shoqëror.
Një shoqëri e organizuar mbi baza të prioriteteve dhe agjendave, nuk ka nevojë për qasje parciale. Shqiptarët në Maqedoni aktualisht janë të “specializuar” për parcializim dhe fragmentim të problemeve, ndërkohë që bota po globalizohet, kurse komunikimi gjithnjë e më shumë po digjitalizohet. Për rrjedhojë, edhe përfitimet që mund t’i kemi nga diaspora, dhe anasjelltas, ende po trajtohen sipas një dioptrie parcializuese dhe për pasojë kemi një listë të gjatë rastesh të dështuara, kur individë vullnetmirë nga diaspora kanë ardhur të startojnë ndonjë biznes këtu, por kanë përfunduar të zhgënjyer. Jo vetëm për shkak të qasjeve grabitçare të ndërmjetësuesve të caktuar të cilët si cuba të uritur kanë dëbu shumë mërgimtarë, por edhe për shkak të mungesës së një strategjie institucionale që do të ishte në funksion të aktivizimit të kapaciteteve dhe resurseve të diasporës, situata është kjo që është.
Por, për asgjë nuk është vonë, nëse punët e lëna pasdore një ditë kthehen në obligime dhe plane konkrete, siç mund të jetë, bie fjala, edhe formimi i një Shoqate apo Instituti, përmes të cilit do të kanalizoheshin idetë dhe projektet e caktuara. (koha.mk)