Dokumenti do tu dorëzohet të gjithëve institucioneve përgjegjëse, ndërsa i njëjti pritet të merret parasysh edhe gjatë procesit të shpalljes së Malit Sharr si park kombëtar
Urim HASIPI
Tetovë, 4 qershor – Një dokument i përbashkët i quajtur “Vizioni për Malin Sharr 2038” është nënshkruar në Kodrën e Diellit. Dokumenti është përpunuar nga më shumë shoqata joqeveritare, shoqata malore dhe banorë të këtyre zonave, ndërsa ka për qëllim që sa më shpejt këtë zonë të shpallë të mbrojtur. Sipas këtij dokumenti, parashihet se që të ndalohet ndërtimi i hidorcentraleve, të hapen shtizë dhe jo udhë, të kthehen të gjithë ata kafshë të egra që janë zhdukur ose janë në zhdukje e sipër. Dokumenti do tu dorëzohet të gjithëve institucioneve përgjegjëse, ndërsa i njëjti pritet të merret parasysh edhe gjatë procesit të shpalljes së Malit Sharr si park kombëtar. Sipas këtij dokumenti, mbrojtja e Malit Sharr, për të cilin pritet me dekada të ndodhë, do të sjellë zhvillimin e turizmit, degë kjo e pazhvilluar në këto hapësira ndërsa do të jetë edhe burim ekzistence për këta banorë dhe më gjerë.
Brenda një periudhe prej tre muajve, në gjashtë komunat e rajonit të Pollogut që gravitojnë në Malin Sharr, u mbajtën diskutime me popullatën lokale, në të cilën ata theksuan problemet, si dhe mënyrat e zgjidhjes për të mbrojtur Malin Sharr.
“Ne do t`ua dërgojmë rekomandimet institucioneve shtetërore që duhet të përfundojnë procesin e shpalljes së Parkut Kombëtar Mali Sharr. Ne kërkojmë që sa më shpejt të jetë e mundur të mbrohet Mali Sharr dhe ne shpresojmë se kjo do të jetë në vitet e ardhshme”, tha Frosina Pandurska nga Shoqata Ekologjike Maqedonase. Për Meti Muaremin nga Qendra për Edukim dhe Zhvillim – CED, pikërisht mungesa e përfaqësuesve të institucioneve në këtë ngjarje konfirmon vetëm skepticizmin e tyre ndaj këtij procesi që ka filluar 20 vite më parë.
“Pas të gjitha takimeve dhe bisedave me vendasit nga rajoni i Pollogut ne kemi kuptuar dhe identifikuar problemet e tyre ekzistuese, por edhe nevojat e tyre për ruajtjen e natyrës, prandaj urgjentisht kërkojmë mbrojtje të këtij rajoni. Ky proces nuk duhet të jetë vetëm formal, por plotësisht të zbatohet në terren, në bashkëpunim me popullatën lokale në mënyrë që ky masiv malor të jetë potencial turistik për popullatën e rajonit, por edhe për të huajt. Andaj, përmes dokumentit të përgatitur në kuadër të projektit, do të punojmë në sensibilizimin e popullatës, institucioneve lokale dhe atyre qendrore që të merren masa të shpejta në drejtim të mbrojtjes së rajonit, ndryshe në ardhmëri të ballafaqohen edhe me fenomene të tilla si në vitin 2015, vërshime të ndryshme”, theksoi Muaremi. Dokumenti “Vizioni për Malin Sharr 2038” është nënshkruar nga shumë shoqata që merren me ekologji dhe shoqata malore, ndërsa aktiviteti solemn u mbajt në Kodrën e Diellit. Organizatat joqeveritare që marrin pjesë në Platformën “Miqtë e Sharrit” do të shkëmbejnë eksperienca të tilla me kolegët e tyre nga Kosova dhe Shqipëria. Për këtë qëllim u krijua një organ këshillëdhënës ndërkufitar Shara-Korab-Koritnik. “Vizioni për Malin Sharr” është një studim i bazuar në idetë dhe rekomandimet e fermerëve, gjuetarëve, alpinistëve, mbledhësve të frutave dhe njerëzve të tjerë të cilët kujdesen për Malin Sharr. (koha.mk)