Shkup, 29 shtator – Igor Jug, njëri prej dhunuesve kryesor të 27 prillit, të premten i është caktuar masë e re e sigurisë, kësaj radhe gjykatësi në procedurë paraprake të akuzuarit në fjalë i ka shqiptuar masën e paraburgimit 30 ditor, shkruan gazeta KOHA. Ky vendim i gjykatës ka pasuar pasi i akuzuari Igor Jug, banor i Kumanovës, i kaloi 8 ditë në burgun e Shutkës, ndërkohë të premten – pasi është marrë në pyetje nga Prokuroria Publike, ndaj tij është ngritur edhe një akuzë tjetër, kësaj radhe si i dyshuar për “udhëheqjen e masës që ka operuar dhunshëm në Parlament”. Në prononcimin zyrtar të Prokurorisë Publike, thuhet se deri të Gjykata Penale e Shkupit është parashtruar propozim akuzë për të dyshuarin, pasi nga hetimet e deritanishme – janë zbuluar dëshmi të reja. “Nga provat e siguruar deri më tani, është konstatuar se krahas veprës penale ‘armë mbajtje pa leje’, ekzistojnë dyshime bazë se i akuzuari ka ndërmarre veprime si udhëheqës i masës gjatë kohës kur ato janë futur dhunshëm në Parlament më 27 prill të këtij viti. Për këto shkaqe, prokurori e miratoi vendim për fillimin e procedurës hetimore edhe për vepër penale ‘pjesëmarrje në masë’, që kryen vepër penale e për të cilën është caktuar dënimi nga 1 deri në 10 vite heqje lirie”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike. Në arsyetimin e shqiptimit të masës së re prej 30 ditë paraburgim, nga Prokuroria thonë se ky vendim është marrë për arsye se ekziston rreziku nga arratisja, pengimimi i hetimeve dhe përsëritja e veprës nga i akuzuari Igor Jug. Ndryshe, arrestimi i të akuzuarit ndodhi me datë 21 shtator, disa muaj pas dhunës së ushtruar në Parlament, me çka policia e shtetit që atëherë i ishte vënë në kërkim, megjithatë arrestimi i tij ndodhi pas disa muaj kërkime. (koha.mk)