“Ka interesim nga ana e qytetarëve, si për literaturë të lirë, po ashtu edhe për atë shkollore. Këtë vit jemi furnizuar me mbi 200 tituj të bestsellerëve botërorë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe i thërras lexuesit dhe dashamirët e librit, të vijnë të anëtarësohen dhe të lexojnë këta libra”, thotë Hod Miftari, drejtor i Qendrës për Kulturë në Gostivar
Urim HASIPI
Tetovë, 30 nëntor – Një kohë të gjatë teknologjia ka zbehur kulturën e leximit të librave klasik. Periudha që dominohet nga ana e celularëve dhe kompjuterëve, ka bërë që edhe në shumë biblioteka në vendin tonë – të ketë rënie të lexueshmërisë. Këtij trendi nuk i shmangen as vendet e zhvilluara, kurse bibliotekat gjithnjë e më pak kanë lexues. Por, edhe përskaj kësaj situate, drejtuesit e bibliotekave theksojnë se janë të kënaqur me numrin e lexuesve që janë të regjistruar. Në Bibliotekën e qytetit të Gostivarit, theksojnë se kanë lexues të rregullt, si ata që lexojnë literaturë të lirë, po ashtu edhe nxënësit dhe studentët nuk mungojnë e të cilët kërkojnë libra profesional ose shkollorë. Më të kërkuarat, si zakonisht, janë romanet e autorëve botërorë, por edhe lektyrat për nxënësit. Së fundmi, në këtë Bibliotekë kanë arritur edhe tituj të rinj.
“Ka interesim nga ana e qytetarëve, si për literaturë të lirë, po ashtu edhe për atë shkollore. Këtë vit jemi furnizuar me mbi 200 tituj të bestsellerëve botërorë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe i thërras lexuesit dhe dashamirët e librit, të vijnë të anëtarësohen dhe të lexojnë këta libra”, thotë Hod Miftari, drejtor i Qendrës për Kulturë në Gostivar. Në ndërkohë, gjatë kohës së pandemisë, pothuajse të gjitha institucionet funksionojnë në kushte të vështira duke patur si prioritet shëndetin e punonjësve dhe të vizitorëve. Edhe në Qendrën për Kulturë në Gostivar, ku në kuadër të kësaj qendre funksionon edhe Biblioteka, vlejnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore. Drejtori i kësaj Qendre pohon se janë duke punuar me orar të shkurtuar dhe duke respektuar të gjitha masat anti covid 19. Librat që i kthejnë lexuesit nuk vendosen në rafte menjëherë, por qëndrojnë në karanatinë disa ditë.
“Biblioteka e qytetit vazhdon me aktivitetet e saj, punën e zhvillojmë në turne, kemi orar të shkurtuar. Kurse librat që merren nga ana e lexuesit, të njëjtat kur kthehen – vendosen në karantinë disa ditë dhe më pas rivendosen në rafte për lexuesit tjerë. Sipas protokolleve që i kemi marrë nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, jemi duke i respektuar të gjitha, me vendosjen e maskave, me dezinfektues dhe ruajtjen e distancës. Besoj se do të arrijmë që deri në fund ta mbijetojmë këtë situatë me sukses si institucion kulturor”, thotë drejtori Miftari. Sipas tij, edhe pse pandemia ka reduktuar punën jo vetëm në këtë institucion, por edhe institucione tjera, megjithatë lexuesit janë të rregullt dhe nuk mungojnë. Edhe në Qendrën për Kulturë në Gostivar që nga shpallja e pandemisë Covid 19, të gjitha aktivitetet janë duke u mbajtur në mënyrë online, pra pa prezencë fizike dhe publikut. Në këtë mënyrë janë mbajtur shumë manifestime kushtuar 22 nëntorit – Ditës së Alfabetit dhe 28 nëntorit – Ditës së Flamurit. Kjo masë është ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e këtij virusi në këtë institucion. (koha.mk)