Askush nuk e kishte menduar se pas Marrëveshjes së Prespës dikujt në Shkup do t’i teket që sërish të falsifikojë historinë, duke e shpallur Olimpinë ilire si helene(!)
Nga Emin AZEMI
Në pikë të vapës, kur njerëzit janë nëpër pushime, dikujt iu ka tekë të bëjë riemërtimin e rrugëve, shesheve e urave në Shkup, kurse të gjithë ata që kanë pritur se me ikjen regjimit të Gruevskit, do të shkulet edhe gruevizmi i tij në histori e kulturë, kanë mbetur të zhgënjyer. Mbi 1600 propozime kanë arritur në adresë të Qytetit të Shkupit, për ndryshimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave e bulevardeve
Ditëve të fundit në parkun Ibni Pajko është vendosur një shënim në monumentin e Olimpijas: “Në nder të Olimpias, figura historike e cila i takon historisë antike helene dhe civilizimit dhe trashëgimisë kulturore historike botërore”.
Askush nuk e kishte menduar se pas Marrëveshjes së Prespës dikujt në Shkup do t’i teket që sërish të falsifikojë historinë, duke e shpallur Olimpinë ilire si helene(!)
Në anën tjetër, Qyteti i Shkupit ka iniciuar një anketë elektronike për mbledhjen e propozimeve të reja për emra të rrugëve, bulevardeve, urave, shesheve, parqeve dhe objekteve të tjera infrastrukturore, ndërkohë që një procedurë e tillë më herët ka kaluar në Këshillin e Qytetit të Shkupit.
Por historianët shqiptarë janë kundër propozimeve të reja, sepse sipas tyre kjo nismë fsheh tendencën e rikthimit të emrave të komunistëve dhe figurave kontroverse që janë të papranueshëm për shqiptarët.
“Kjo anketë e Qytetit të Shkupit synon rikthimin e figurave komuniste. Për habi është se si kjo anketë po zhvillohet pikërisht në muajin gusht, kur shumica e qytetarëve dhe institucioneve i shfrytëzojnë pushimet vjetore. Apeloj deri te Këshilltarët shqiptar në Qytetin e Shkupit ti zbatojnë vendimet e marra vite më parë në Këshillin e Qytetit të Shkupit dhe në Qeveri. Ata duhet të mobilizohen për të parandaluar këtë tentative antishqiptare”, i tha gazetës KOHA, historiani Skender Asani.
Pse kjo ngutje dhe pse në vapën e verës të bëhen këto ndryshime? Shqiptarët kanë të drejtë të pyesin se ku mbeti diversiteti i shumë proklamuar i pushtetarëve të tanishëm? Apo ndoshta parullën ‘Një shoqëri për të gjithë’ e kanë menduar si një shtëpi e madhe ku sërish do të ketë pronarë dhe qiragjinjë.
Gjithkush që ka qenë në Shkup para tri viteve ka mundur të vërejë një pamje qesharake urbanistike, që nuk korrespondon me natyrën socio-kulturore të këtij qyteti. Projekti famëkeq ‘Skopje 2014’ synonte antikuizimin e Maqedonisë, ndërkohë që me ndryshimin e pushteteve të gjithë pritën se ky proces i panatyrshëm i shpërfytyrimit do të ndërpritet. Pritjet ishin të mëdha sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, por në realitet ndryshimet janë sipërfaqësore, jo esenciale. Fryma e projektit ‘Skopje 2014’, ka ngelur e njëjta, ku Car Somoili e Car Dushani jo vetëm që nuk shprehin autenticitetin e shoqërisë së këtushme, por ata thellojnë edhe më tepër ndasitë dhe animozitetet në mes të komuniteteve.
Edhe pse është gusht, dikush sërish ka qejf ta kontrabandojë historinë! (koha.mk)