Patriot LUMANI
Strugë, 5 janar – Ministri Shëndetësisë, Nikolla Todorov, para disa ditëve kur përmendi investimet në sektorin e shëndetësisë që janë në vazhdim dhe atyre që do të inicohen gjatë këtij viti në Maqedoni, nuk përmendi asnjë fjalë për renovimin e Spitalit të Strugës apo ndërtimin e një spitali të ri, shkruan gazeta KOHA. Në infrastrukturën shëndetësore, në rrjedhë është cikli investues në vlerë prej 74,6 milionë eurove, që së bashku me investimin prej 128 milionë eurove për Qendrën e re klinike në Shkup paraqet mbi 202 milionë euro, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov. “Infrastruktura shëndetësore është një ndër aspektet më të rëndësishme për ekzistimin e një sistemi të zhvilluar shëndetësor dhe ky është cikli më i madh investues zbatuar në Republikën e pavarur të Maqedonisë”, tha Todorov. Ai theksoi se pjesa më e madhe e këtyre investimeve duhet të përfundohen gjatë këtij viti, përveç Qendrës së re klinike, ndërtimi i së cilës është paraparë të jetë 45 muaj nga momenti i vendosjes në punë si dhe investimi në Spitalin e përgjithshëm në Kërçovë dhe Qendrën urgjente në Kumanovë.
Todorov paralajmëroi se në rrjedhë është edhe rinovimi dhe adaptimi i objektit të Spitalit të posaçëm për ortopedi dhe traumatologji “Shën Erazmo” në Ohër. Imperativi për ndërtimin e një Spitali të ri në Strugë apo rikonstruimin e këtij ekzistuesit është imediate dhe e domosdoshme në funksion të një shërbimi më cilësor ndaj pacientëve nga rajoni i Strugës dhe qyteteve fqinje në disa raste kanë ngritur shqetësimin pacientët por edhe uniformat e bardha. Ata të thonë se pavarësisht shërbimit cilësor që marrin pacientët është e domosdoshme që të bëhet rinovimi gjeneral i godinës ekzistuese ose të ndërtohet një i ri sepse kushtet e tanishme në Spitalin e Strugës nuk janë ato që duhet të jenë të një qendre rajonale spitalore ku trajtohen pacientë nga i gjithë jugperëndimi i Maqedonisë apo nga qytetet fqinje të Shqipërisë. Së fundi, kjo problematikë është trajtuar edhe gjatë fushatës zgjedhore ku pothuajse të gjithë partitë politike kanë trajtuar nevojën për ndërtimin apo renovimin e Spitalit të Strugës. Në lidhje me këtë problematik në opinionin strugan përflitet se pas investimeve dhe ndërtimit të Spitalit të ri në Ohër shteti nuk ka më interes ndërtimin e një Spitali të ri në Strugë pavarësisht premtimeve që janë dhënë në të kaluarën nga titullarët e dikasterit të shëndetësisë .Sipas këtyre pretendimeve edhe në drejtimin e Spitalit po ndiqet praktika e sportelizimit që u ndoq me një sërë institucione shtetërore në Strugë në llogari të Ohrit. Spitali i Strugës, pavarësisht problemeve të shumta, viteve të fundit ka qenë një nga spitalet në rang Maqedonie që ka marr vlerësime pozitive për nivelin e lartë të shërbimit ndaj pacientëve.
Ndërkohë, Mentor Ibraimi, drejtor i Spitalit të Strugës, në disa raste ka konfirmuar për gazetën KOHA se në vazhdimësi ka kërkuar nga dikasteri i shëndetësisë që me prioritet të shoh mundësinë që të investoj në Strugë ose në renovimin e këtij ekzistuesit dhe ndërtimin e disa ambienteve shtesë ose të ndaj mjete për ndërtimin e një Spitali të ri. Në realitet ndërtimi i një Spitali të ri në Strugë është i domosdoshëm sepse ky ekzistuesi nuk plotëson kushtet e një qendre spitalore ku shërbim dhe kujdes shëndetësor e marrin një pjesë e madhe e banorëve jo vetëm nga Struga, por edhe nga Kërcova, Dibra dhe qytete të tjera të vendit. Projekti dhe kërkesa për investim në Spitalin e Strugës është dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa koha kur do të realizohet askush nuk e di.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.