Fitorja e Mitsotakisit dhe me këtë edhe ndryshimi i kursit politik në qeverisjen greke, për njohësit e zhvillimeve politike, është një ndryshim që mund të krijojë probleme ndonëse kalojmë në një paragraf të ri. Megjithatë, Greqia, sipas tyre, është një shtet serioz dhe vështirë të imagjinohet për ndryshime të befta në politikën e saj të jashtme
Destan JONUZI
Shkup, 9 korrik – Partia opozitare e qendrës së djathtë Demokracia e Re, e udhëhequr nga Kyriakos Mitsotakis, ka dalë fituese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Greqi. Menjëherë pas rezultatit, kryeministri ende në detyrë Aleksis Cipras, e ka pranuar humbjen në zgjedhjet e përgjithshme dhe e ka telefonuar kundërshtarin e tij për t’i uruar fitoren. Kryeministri i zgjedhur, Mitsotakis, tha se ardhja e tij në krye të shtetit është një mandat për ndryshim. “Vendi ynë me krenari ngre kokën përsëri dhe se unë do të jemi kryeministër për të gjithë, sepse grekët janë shumë pak për të qëndruar të ndarë”, tha ai në daljen e parë publike pas fitores, shkruan gazeta KOHA.
Ndërsa, pas bërjes publike të rezultateve, kryeministri i deritanishëm, Aleksis Cipras, përmendi vendimet e vështira që është dashur të marrë në kohën sa ka qenë në pushtet. “Me kokën lartë, ne e pranojmë vendimin e popullit. Për të sjellë Greqinë aty ku është sot, ne duhej të merrnim vendime të vështira me një kosto të rëndë politike”, ka theksuar Cipras para gazetarëve. Ndërkohë, që në muajin shkurt, lideri i Demokracisë së Re, ka deklaruar se do të bllokojë integrimin evropian të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, nëse merr pushtetin në Greqi. Analistët dhe njohësit e çështjeve politike, duke folur për ndryshimet politike në Greqi thonë se fitorja e Mitsotakisit nuk do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në Maqedoninë e Veriut, pasi vetë Greqia ka qenë e interesuar që ta heqë qafe problemin e emrit. Sipas tyre, në planë afatgjatë dhe strategjik, Marrëveshja në mes dy shteteve ka favorizuar Greqinë duke e vendosur në qendër të tregtisë rajonale dhe duke e forcuar pozicionin tek amerikanët.
“Fitorja e Mitsotakisit do të ketë reflektime për konsum të brendshëm se sa në raportet ndër fqinjësore. Megjithatë, nuk duhet harruar se Greqia gjendet në një fazë delikate ekonomike dhe e vetmja rrugë mbetet forcimi ekonomik nëpërmes diplomacisë ekonomike. Populizmi në Greqi mund të jetë sezonal dhe pa efekte rajonale”, deklaroi për gazetën KOHA, Selim Ibraimi, analist.
GREQIA SHTET SERIOZ, NUK NDRYSHON POLITIKËN E JASHTME
Analisti nga Tirana, Mentor Nazarko, thekson se ndryshimi i klasës qeverisëse në Greqi, paraqet një moment kyç, me gjasë edhe problematik në raportet e këtij vendi me Bashkimin Evropian (BE), përkatësisht me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, por edhe me vendet e tjera. “Është një ndryshim që mund të krijojë probleme ndonëse kalojmë në një paragraf të ri. Megjithatë, Greqia gjithsesi se është një shtet serioz dhe është vështirë të imagjinohet për ndryshime të befta në politikën e saj të jashtme. Është një luftë me kohën, qëndrimi grek pritet të shihet nga korriku deri në tetor kur duhet të rishqyrtohet çështja e çeljes së negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Zakonisht, partitë në fushata apo opozitë mbajnë qëndrime më ekstremiste se sa kur janë në pushtet, në këtë kuptim le të shpresojmë se do të dominojë arsyeja në politikën e jashtme greke “, deklaroi Nazarko për gazetën KOHA.
Nga ana tjetër, njohësi i zhvillimeve politike në Greqi, Venço Donev, vlerëson se në përcaktimet globale politike, Greqia nuk do të ketë shumë ndryshime, ndërsa Demokracia e Re si parti e cila vjen në pushtet në një kohë të pakohë, do të mundohet që ti motivojë herë pas herë votuesit e saj duke e përdorur si alibi Maqedoninë dhe Marrëveshjen e Prespës. “Nuk jam i sigurt se menjëherë do të bëjnë ndonjë ndryshim dhe ekspansion ekonomik në raport me rrogat ashtu siç premtoi Mitsotakis. Pjesën më të rëndë dhe më të papërshtatshme të punës e kreu Aleksis Cipras, kështu që lideri i Demokracisë së Re do të duhet që maksimalisht të jetë i kujdesshëm ndaj aleatëve perëndimor në raport me ekspansionin rus dhe kinez në Greqi. Nuk besoi se do të bëhet çapkën dhe do ti kundërvihet Gjermanisë, si dhe forcave tjera të mëdha”, deklaroi për gazetën KOHA, Donev. Në raport me rajonin, shprehet më tej ai, të paktën në fillim të mandatit të tij nuk do të shkaktojë kokë dhimbje, pasi ajo do të ketë pasoja për ekonomin greke, por jo vetëm edhe për atë rajonale.
“Do të fokusohen drejt Maqedonisë dhe në çdo rast do ta shfrytëzojnë politikën e saj në Bashkimin Evropian (BE) që të bëjnë pengesa për disa çështje, duke e hedhur topin dhe fajin në anën e Maqedonisë së Veriut se nuk i ka kryer detyrat, nuk respektojnë të drejtat, vjedhin historinë… Politikëbërja në opozitë dhe gjatë qeverisjes është e ndryshme, kështu që për disa çështje do të duhet edhe të reterojnë”, thekson Donev.
ASPEKTI HISTORIK I TË DJATHTËS DHE TË MAJTËS
Përndryshe, e djathta greke historikisht në raport me rajonin ka qenë shumë më ekspansioniste, ka mbajtur qëndrime të forta, historikisht është bartëse e forcave të djathte e cila në Luftën e Dytë Botërore kishin kalëruar në agjenda ekstreminsite ndaj vendeve fqinjë. Ndërkohë që e kundërta është me të majtën. E majta e Ciprasit përfaqësonte një koalicion partish të cilët ishin nipërit e udhëheqësve komunistë të luftës anti-fashiste.
Të majtës në raport me historinë e marrëdhënieve të Greqisë me fqinjët i atribuohen hapat më relaksues, më paqësues në raport me vendet fqinjë. E djathta, përkundrazi – ka bagazhin e vet historik, momente përplasje etj. Ndërsa, Greqia e sotme, është një Greqi e cila i ka zgjedhur telashet ekonomike dhe për pasojën është edhe fuqi rajonale. (koha.mk)