Edhe pse tashmë janë bërë një vit që kur me Komunën e Tetovës udhëheq teuta Arifi, në mandatin e dytë të saj, Tetova vazhdon të përballet me probleme të theksuara infrastrukturore, me komunikacionin e dendur, mbeturinat, sanimin e shumë dëmeve nga vërshimet e vitit 2015, ndotjen e ajrit, mungesën e një deponie regjionale dhe uzurpimet e hapësirave publike
Urim HASIPI
Tetovë, 30 tetor – Me mbi tetë milionë euro borxh, Komuna e Tetovës është ndër komunat me më shumë probleme në vend. Kryesisht borxhi është në transportin e nxënësve dhe kjo deri diku ka ndikuar në realizimin e punëve të tjera kapitale. Kryetarja aktuale e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi nënvizon se krahas gjithë këtij borxhi, komuna arriti të përfundojë projektin e ujësjellësit.
“Ne ju kemi informuar që nga fillimi i mandatit tim të parë me marrjen e detyrës që në 2013 se Komuna e Tetovë, sipas llogarive të bëra, atëherë ka trashëguar një borxh prej 8 milionë e gjysëm euro që është kryesisht borxh ndaj komitentëve të ndryshëm, të cilët kanë kryer punë dhe që nuk u janë paguar obligimet dhe normalisht për ne ka qenë jo e lehtë funksionimi katër vjeçar. Më gjithë këtë situatë të vështirë, kemi arritur të zgjidhim probleme serioze për qytetarët siç është storia e gjatë dekadëshe për sa i përket ujit të pijshëm”, deklaroi Arifi. Në ndërkohë, ajo ka përshëndetur vendimin e Qeverisë që të shlyejë 51 për qind të borxhit duke shtuar se do të ketë mundësi që në të ardhmen të realizohen projekte kapitale. Por, shlyerja e borxhit do të duhet që të pres rebalancin e buxhetit.
“Prandaj unë mendoj se për ne si komunë, por edhe për të gjitha komunar tjera, vlen të përshëndetet ky akt dhe ky hap, aq më tepër kur në fakt shumë komuna përballen me një problem të kësaj natyre . Ky rebalanc buxheti i Qeverisë në fakt duhet të kalojë procedurat parlamentare dhe pas hyrjes në fuqi, do të fillojë procesi i shlyerjes së obligimeve 51përqind të komunave, shkollave fillore dhe atyre të mesme dhe në të njëjtën kohë, mendoj që kjo do të japë mundësinë për më tepër stabilitet dhe në të njëjtën kohë, për më tepër përkrahje sa i përket projekteve të ndryshme komunale që kemi”, tha Arifi.
Borxhi, sipas saj, është ndaj punëve që janë kryer, por që nuk janë paguar. Ajo megjithatë insiston se ky borxh nuk ndikon në stabilitetin financiar të Komunës së Tetovës. “Këto mjete destinohen ndaj atyre punëve të cilat janë kryer, por të cilat nuk janë paguar, që domethënë se nuk është asgjë abstrakte, ka shumë gjëra të cilat janë kryer si punë, por për shkak të situatave financiare, nuk është arrit të bëhet realizimi i obligimeve financiare ndaj tyre, prandaj me përfundimin e ligjit dhe hyrjen e ligjit në fuqi, mendojmë se do të fillojë të funksionojë, dhe kjo për stabilitetin financiar jo vetëm të Komunës së Tetovës, por edhe për komunat tjera do të jetë shumë me rëndësi”, sqaroi kryetarja e Tetovës.
Në ndërkohë, ajo ka ritheksuar se nuk ka pengesa financiare për realizmin e bulevardit “Bllagoja Toska”. Ndryshe, edhe pse tashmë janë bërë një vit që kur me Komunën e Tetovës udhëheq në mandatin e dytë të saj, Tetova vazhdon të përballet me probleme të theksuara infrastrukturore, me komunikacionin e dendur, mbeturinat, sanimin e shumë dëmeve nga vërshimet e vitit 2015, ndotjen e ajrit, mungesën e një deponie regjionale dhe uzurpimet e hapësirave publike. (koha.mk)