Shkup, 8 gusht – Kroacia urgjentisht t’i heqë dispozitat nga Rregullorja për eksport të pemëve dhe perimeve të freskëta, kërkuan nga Sarajeva ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ljupço Nikollovski dhe ministrat kompetent nga Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Mirko Sharoviq, Rasim Ljajiq dhe Dragica Sekuliq, me ç’rast nënshkruan edhe konkludime, të cilat do të dërgohen në Bruksel, shkruan gazeta KOHA. Siç kumtuan nga MBPEU, ministrat i bëjnë thirrje Kroacisë t’i heqë dispozitat nga Rregullorja, ndërsa shpenzimet për mbikëqyrje inspektuese të reduktohen në lartësinë e tyre reale. Njëherësh, ministrat nënshkrues kërkojnë që këtë javë të mbahet takim urgjent me ministrat kompetent nga Kroacia, ndërkaq me atë rast të kihet parasysh se çdo shtyrje për gjetje të zgjidhjes do të shkaktojë pasoja të dukshme ndaj prodhuesve nga vendet e rajonit, duke pasur parasysh atë se e tërë kjo po ndodhë në periudhë kur ka eksport të shtuar të pemëve dhe perimeve sezonale. Ministrat nga rajoni në zgjidhje të problemit me Kroacinë i bënë thirrje të kyçet edhe BE-ja, ndërsa në konkludime theksojnë se secili vend, deri në zgjidhjen e problemit, për t’i mbrojtur interesat e veta ekonomike – do të ndërmarrë masa dhe mekanizma konkret për të cilët mendon se janë adekuatë. Nga MBPEU informojnë se tashmë kanë parashtruar notë në ministrinë kroate të Bujqësisë për ndalim të Rregullores për kontroll gjatë eksportit të pemëve dhe perimeve. Në ndërkohë, ministri serb i Tregtisë, Rasim Ljajic, ka thënë se fqinjët e Kroacisë “nuk dëshirojnë të hyjnë në spiralen e masave dhe kundërmasave”. Mirëpo, ai ka shtuar se ata “do te detyrohen ta bëjnë atë, në rast se Kroacia nuk i kthen tarifat e mëparshme deri në fund të javës”. Serbia, Bosnja, Maqedonia dhe Mali i Zi nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, për dallim prej Kroacisë, e cila i është bashkuar bllokut më 2013. (koha.mk)