Lufta mes Goliatit rus dhe Davidit malazez po vazhdon: Podgorica i është përgjigjur me monedhë të njëjtë Moskës, pasi kjo e fundit ka krijuar një ‘listë të zezë’, përmes të cilës i ndalohet hyrja në Rusi politikanëve të caktuar malazezë. Zëvendëskryeministri rus Dmitry Rogozin, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Sigurisë, Nikolai Patrushev, dhe presidenti i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, janë përfshirë në listën e personave që u ndalohet hyrja në territorin e Malit të Zi, njofton gazeta ‘Pobjeda’. ’Lista e zezë’ e Malit të Zi përfshin edhe zëvendëssekretarin e partisë ‘Rusia e Bashkuar’ Sergei Zheleznjak si dhe pronarin e televizionit ‘Carigrad’ Konstandin Malofejev. Lista e të padëshiruarve vjen pas vendimit të Këshillit Evropian, ku 149 shtetasve rusë dhe ukrainas u ndalohet lëvizja nëpër Evropë, për shkak se ata kanë mbështetur “agresionin kundër Ukrainës dhe aneksimin e dhunshëm të Krimesë”.