Shkup, 11 janar – Është arritur marrëveshje me degën e Lëvizjes BESA të Bilall Kasamit, informoi sot në konferencën për shtyp në Kuvend, zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
Në pyetjen çka konkretisht janë dakorduar, Kostadinov tha se më vonë do të dalë me kumtesë të përbashkët.
Lidhur me atë nëse është siguruar shumicë prej dy të tretave për fazën e fundit nga ndryshimet kushtetuese, Kostadinov theksoi se investohen të gjitha përpjekjet dhe se janë optimistë se shumica e nevojshme deri tek akti i votimit do të sigurohet.
Theksoi se lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski me shmangien e tërë procesit, duke e përfshirë edhe shmangien e debatit në Kuvend për ndryshimet kushtetuese të cilat rrjedhin nga Marrëveshja e Prespës në të vërtetë e bën tradhtinë më të madhe të interesave shtetërore dhe kombëtare.
“Qytetarët dëshirojnë ardhmëri, avancim dhe prosperitet, qytetarët e Maqedonisë e duan vendin në BE dhe në NATO, kthim mbrapa në izolim, errësirë dhe të kaluar të zymtë nuk do të ketë. Vazhdojmë me të gjitha përpjekjet për ta siguruar ardhmërinë për qytetarët në Maqedoni. Ajo do të jetë anëtare e BE-së dhe e NATO-s, por çdoherë do të mbeten në kujtime Mickoski, Gruevski, Baçev, Ivanov si dhe disa të cilët e kanë penguar ardhmërinë dhe kanë punuar kundër integrimeve”, tha Kostadinov.