Edhe LSDM kërkon të shpejtohet hetimi

Shkup, 8 gusht – Nuk ka drejtësi, nuk ka qetësi! Ky slogan i LSDM-së asnjëherë nuk do të humbet. Ashtu siç premtuam, deri në fund do të luftojmë që ta kthejmë të drejtën dhe drejtësinë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kështu ka thënë dje zëdhënësi i LSDM-së, Konstantin Konstantinov, duke komentuar video-materialin ku shihet se si Boki 13 merr haraçin prej 14.5 milionë euro nga biznesmeni Orce kamçev.

“Edhe njëherë i inkurajojmë dhe kërkojmë nga organet e drejtësisë që t’i zbardhin të gjitha rrethanat rreth rastit aktual. Kërkojmë që hetimi të përshpejtohet nga institucionet që duhet të japin përgjigje të plotë për të gjithë aktorët që kanë marrë pjesë në vepra të paligjshme, si dhe të jep përgjigje për nxitësit, organizatorët dhe skenaristët e këtij rasti. Sidomos duhen përgjigje të argumentuara për atë se kush është i kyçur në këtë krim dhe cilat lëndë po hetohen e që dikush dëshiron të shpëtojë”, tha Konstantinov, ndërsa shtoi se askush nuk është i mbrojtur dhe askush nuk do të kursehet në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Opinioni ka të drejt ta mësojë të vërtetën. Gjithçka që ndodh duke përfshirë edhe publikimin e incizimit të sotëm është pjesë e një skenari të përgatitur më parë. Të gjitha forcat e errëta janë angazhuar për shkatërrimin e shtetit të së drejtës dhe cenimin e proceseve integruese të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Jemi të bindur se fund do të del e vërteta në shesh. Do të bien të gjitha tentimet e dështuara për sabotazh të hetimit për të shpëtuar dikë. Përkundrazi, jemi të bindur se këto tentime vetëm do ta përshpejtojnë dhe intensifikojnë hetimin, do t’i nxjerrin në sipërfaqe të gjithë aktorët dhe pjesëmarrësit në rastin ‘Zhvatja'”, tha zëdhënësi i LSDM-së.