Fatos RUSHITI
Shkup, 3 shtator – Elektorati shqiptar në zgjedhjet lokale të 15 tetorit përballë kandidatëve shqiptarë të partive politike shqiptare do të kenë edhe kandidatë për kryetar komunash dhe për këshillat komunal nga radhët e shqiptarëve të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, shkruan gazeta KOHA. Nga rrjedha e zhvillimeve politike të deritanishme për zgjedhjet lokale, del se në taborin shqiptar mund të arrihen koalicione parazgjedhore mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA, por jo edhe me LSDM-në. Zyrtarë nga partia e Zevit përjashtojnë koalicion me parti shqiptare në rrethine parë zgjedhor, ndërsa në rrethin e dytë e lënë të hapur bashkëpunimin me partitë shqiptare, me qëllim që VMRO të dalë me sa më pak kryetar komunash në këto zgjedhje. Nga viti 2009 VMRO mban mbi 80% të komunave maqedonase, ndërsa ishte afër që të merrte edhe Kërçovën në zgjedhjet e fundit parlamentare, por që një mobilizim i diasporës shqiptar mundësoi që Kërçova për herë të parë të qeveriset me një shqiptar, edhe atë nga Fatmir Dehari i BDI-së. Rrjedha e afërisht 40 mijë votave shqiptare në zgjedhjet e fundit parlamentare drejt LSDM-së, nuk është parë me sy te mirë tek partitë shqiptare, ndërsa zëra kritik ka pasur edhe në opinion se LSDM mund ti mashtrojë shqiptarët, por jo edhe realisht t’ua zgjidh hallet e tyre. E njëjta situatë pretendimi për të marrë votën shqiptare, duke shfrytëzuar pozicionin momental të elektoratit shqiptar kundër VMRO-së po përsëritet si në zgjedhjet e fundit parlamentare, ashtu edhe në zgjedhjet lokale të 15 tetorit.
Sipas asaj që thonë për gazetën KOHA zyrtarë të lartë, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë po shqyrton seriozisht mundësinë që në disa komuna shqiptare të kandidojë me shqiptarë, ndërsa premtojë se në listat për këshilltarë kandidatët shqiptar do të jenë shumë të avancuar. Këto zyrtarë konfirmojnë për gazetën KOHA se aktualisht në parti bisedohet edhe për kandidatë shqiptarë në disa komuna, por pa precizuar se ku, ndërsa shtojën se deri në fund të kësaj jave do të kristalizohen kandidaturat. Sa i përket listave të kandidatëve për këshilltar komunal, zyrtarë të LSDM-së thonë se përbërja e kandidatëve shqiptarë do të jetë shumë më e theksuar se ajo e kandidatëve për kryetarë komunash. “Ka një kohë që në parti është menduar të kemi kandidat shqiptar në ato komuna ku patëm një jehonë të votave të elektoratit shqiptar. Këto ditë po bëhen analiza të thukëta se në cilat prej tyre mund të nxjerrim kandidatë dhe cilat profile përshtaten më shumë, duke marrë për bazë edhe propozime që vijë nga degët. Sa i përket listave për këshilltarë komunal, kjo do të jetë shumë më e theksuar për nga përbërja etnike me shqiptarë përballë asaj për kryetar komunash, sidomos në ato komuna ku popullata është e përzier, por edhe në ato komuna shqiptare ku patëm vota më shumë në zgjedhjet e partive shqiptare”, theksuan për gazetën KOHA. Ndryshe, partia e Zaevit siguroi vota të konsiderueshme shqiptare në Çair, Haraçinë, Studeniçan, Kumanovë, Tetovë dhe Dibër.
LSDM NË KËRÇOVË DHE STRUGË ME KANDIDATURA GJITHËPËRFSHIRËSE
Në pyetjen e gazetës KOHA se konkretisht në cilat komuna, përfshirë dhe ato perëndimore Strugën Dibrën dhe Kërçovën, LSDM mund të del me kandidatë shqiptarë, zyrtarë të lartë të LSDM-së thonë shkurt se synojnë të mundin VMRO-në dhe se kësaj radhe do të jenë të kujdesshëm në komunën e Strugës dhe të Kërçovës se çfarë profilesh do të kandidojnë. “Fokusi jonë është të mundim VMRO-në e cila në shumë komuna ka bërë keqpërdorime të dukshme të parasë publike, ku patëm rastin të shohim edhe në akuzat e Prokurorisë speciale. Komunat që cekni si Kërçova dhe Struga, në parti po shqyrtohen kandidatura që janë më gjithëpërfshirëse dhe të pranueshme për të gjitha komunitetet”, theksuan zyrtarë të LSDM-së. Sa i përket bashkëpunimeve me partitë shqiptare, nga LSDM thonë se “në rrethin e dytë zgjedhor aty ku mund të ndihmohet do të ndihmohet, por do të shohim si do të shkojë procesi zgjedhor”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.