Shkup, 12 korrik – Ndryshimet e Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, ligj ky i rëndësishëm për procedimin e mëtejmë të rastit “Monstra”, kanë mbetur nën hije të debatit aktual në Parlament që zhvillohet për Ligjin për gjuhët dhe “Planin 369”, të cilin ditë më parë e publikoi Qeveria. Duke e potencuar nevojën sa më të shpejtë të ndryshimeve të këtij Ligji, nga Prokuroria Speciale Publike për gazetën KOHA thonë se mbesin në qëndrimin e dhënë më herët, se sjellja e Ligjit të ri për dëshmitarët paraqet lehtësim për punën e tyre. Zëdhënësi i PSP-së, Panta Xhambazovski, apelon deri te përbërja e re parlamentare që ky ligj sa më shpejtë të futet në procedurë parlamentare, me qëllim vazhdimin e hetimeve për rastin “Monstra”, “Martin Neshkovski” dhe rastet tjera, për të cilët ata vlerësojnë se në procedurë gjyqësore duhet prezantohet dëshmitar i mbrojtur në formën të cilën ata e propozojnë. Koordinatori grupit parlamentar të BDI-së, Ejup Halimi, thotë se ndryshimet e Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve do të jenë temë debati në takimin e eurokomesiarit, Johanes Han, i cili gjatë vizitës së paralajmëruar për ditën e premte, do të realizojë takim me liderët e katër partive më të mëdha në vend. “Reformat në sistemin gjyqësor pritet të diskutohen të premten në takimin e Hanit me katër liderët e partive më të mëdha politike në vend. Njëherit do të diskutohen edhe propozimet e Prokurorisë Speciale Publike, të cilët kanë të bëjnë me ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe ato për vazhdimin e mandatit për ngritjen e aktakuzave. Pas këtij takimi, përfundimisht do të dihet se kur këto dispozita ligjore do të futen në procedurë parlamentare”, thotë deputeti Alimi. Ndryshe, në propozim ligjin e dorëzuar vitin e kaluar, PSP-ja kërkesën për ndryshimet e Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve e ka arsyetuar me atë se me këto plotësime prokuroria speciale do ta sigurojnë parimin e plotë të autonomisë për procedimin e lëndëve që burojnë nga përgjimet e jashtëligjshme. (koha.mk)