Ka kohë që e kemi humbur ndjesinë e të qenit nën presionin e perceptimit publik të lexuesit, sepse gazetaria sikur është shndërruar në një hapësirë ku më tepër projektohen interesat selektive të shoqërisë, se sa interesi gjithëpërfshirës i publikut
Nga Emin AZEMII
Të marrësh një çmim, nuk do të thotë se je më i veçanti nga të tjerët, por të vlerësosh dhe nderosh të tjerët, bëhesh më i veçantë. Sot për mua të veçantë janë ata që më nderuan me këtë çmim dhe ata që më mbështetën gjatë gjithë punës sime.
Për mua, të veçantë janë Lirim Dullovi dhe Arben Ratkoceri me gazetën e tyre KOHA që më propozuan dhe mbështetën që unë të jem laureat i këtij çmimi. Këta dy zotërinj meritojnë respektin tim, për arsye se po reflektojnë me shembullin e tyre një model pune që i nevojitet shoqërisë sonë – atë të ndërmarrësisë me partneritet solid në drejtimin e një medie që po bëhet gjithnjë e më e fuqishme në hapësirën tonë mediatike.
Për mua, të veçantë janë kolegët e mi nga Këshilli për ndarjen e këtij çmimi, të cilët më nxorën favorit në këtë garë sfiduese.
Për mua, e veçantë është edhe familja ime që më ka mbështetur gjatë gjithë punës sime në këtë profesion që nuk është edhe pa sakrifica.
Ministria e Kulturës që është gjithashtu themeluesi i këtij çmimi, më ka bërë të ndjejë dorën e ngrohtë të mbështetjes institucionale ndaj një profesioni që gjithnjë e më tepër po rrëshqet në terrene të vështira të mbijetesës.
Gazetaria sot ndodhet para dy sfidave të mëdha globale. Në njërën anë digjitalizimi i informacionit dhe medias, kurse në anën tjetër – piratët e rrjeteve sociale që më tepër mendojnë për favoret që sjell industria informale e lajkeve, se sa për formatimin profesional të informacionit.
Edhe këtë çmim që sot po e marr, ia dedikoj gjithë atyre kolegëve profesionistë që aktualisht po përballen me këto sfida, duke i inkurajuar ata se beteja do të jetë e fituar nëse gazetarinë ua kthejmë gjithë atyre që atë e kanë pasion dhe profesion, e jo një hapësirë ku në emër të teknologjisë së re, abuzohet pikërisht me këtë profesion të shenjtë.
Kënaqësia e të qenit vetëm për një ditë i rrethuar me përkëdhelinë që të jep një mirënjohje nga kolegët, të bënë edhe më të përgjegjshëm ndaj atyre me të cilët ne komunikojmë çdo ditë – me lexuesit. Këta të fundit janë “akrepat” më besnikë që na tregojnë se nga po shkon ora jonë si individë e si shoqëri. Ka kohë që e kemi humbur ndjesinë e të qenit nën presionin e perceptimit publik të lexuesit, sepse gazetaria sikur është shndërruar në një hapësirë ku më tepër projektohen interesat selektive të shoqërisë, se sa interesi gjithëpërfshirës i publikut. Në këtë garë në mes të këtyre dy interesave, jo pak kolegë gazetarë dhe media kanë rënë në provim, kurse alternative vetme për të dalur nga kjo situatë mbetet sërish profesionalizmi dhe ngritja e kulturës receptive të lexuesit.
Ajo që, megjithatë, vazhdon të na bëjë optimist në zhvillimet e përgjithshme globale të gazetarisë, është fakti se sado që ky profesion po pëson transformime të thella, ai sërish po mbetet një faktor i fuqishëm kontrapunktiv në gjeografinë e përgjithshme emocionale e civilizuese të globit. Përtej këtij optimizmi, mbetën të hapura edhe shumë dilema që e shoqërojnë të ardhmen e këtij profesioni, por sido që të jetë, njerëzimi e ka ngushtë të lidhur mbamendjen me arkivat që vijnë nga gazetaria. (koha.mk)