Në kohën që jetojmë duket se është e vështirë të krijohen diktatura si ato komunistet, por hibridi që disi dhe ne jetuam dhe tani vjen si shembull nga Hungaria është se megjithatë vetëm një parti ka kontroll mbi gjithçka, surfohet në valët e demokracisë por ajo nuk është e plotë. “Nuk ka polici totalitare. Asnjë nuk zhduket natën pa gjurmë. Kapitali i huaj është i mirëseardhur. Por vendi është i pa lirë, por as i lirë plotësisht”, kështu e përshkruan Roger Cohen i New York Times Hungarinë. S’ka nevojë të theksoj ngjashmërinë!
Nga Nazim RASHIDI
Të mbështjellë shpesh nga ngjarjet e përditshmërisë që me të drejtë shpesh edhe përcaktojnë të ardhmen po qoftë edhe afatshkurtër, mbesim jashtë dinamikave që zhvillohen në Evropë ku me gojë plotë synojmë të tërë.
Në fakt dihet që të bëhesh pjesë në klubin evropian duhet të përmbushësh një sërë standarde, të cilat thënë qartë, do t’i ndjenim sepse ato standarde s’janë për në letër, por realisht që të përmirësojnë jetët e njerëzve. Thënë edhe më qartë, do të shihnim rrugë më të mira, pa gropat të cilat i kalojmë si sllallom, apo do të kishte shkolla më të mira, ku nxënësit nuk do të ishin nga 40 në klasë, apo ku nuk do kishte kushte si në kohën e “Lulit të vocër”. Do të kishte spitale më të mira, ku nuk do të vdisnin 35 foshnja në një vend ku mplakja e popullsisë është sfida më e madhe e shoqërisë. Do të thoshte se njerëzit nuk do ta kishin ëndërr ikjen nga vendi, por do të ëndërronin të bëheshin të parët e vendit që duan ta harrojnë. Dhe mund të vazhdoj me shembuj të tjerë, sidomos me drejtësinë, aq plagë e dhimbshme për gjithë shoqërinë, e cila nuk arriti dhe nuk arriti që ta shndërrojë këtë shoqëri në të qetë, e cila do jetonte pa dyshimin konstant e pa frikë se gjykatat nuk ta hanë hakun nëse s’ke mik, nëse nuk njeh dikë, nëse je shqiptar, nëse je politikan në pushtet, nëse…
Por, ajo që kësaj here dua të theksoj është për atë se çfarë ndodh në Evropë dhe si mësojmë prej saj, nëse mundemi.
Dhe…
“Që të fitonte, kryeministri kishte krijuar një listë: Neutralizo pavarësinë e gjyqësisë. Kontrollo medien. Demonizo migrantët. Krijo elita të reja lojale nëpërmjet një kapitalizmi me privilegje për njerëz të njohur. Energjizo narrativën nacionale të viktimizimit dhe heroizmit nëpërmjet manipulimit të memorjes historike. Deklaro se “vullneti i popullit” mbikalon ligjet dhe kushtetutën”.
Ju duken këto hapa të njohura?
Jo, jo nuk përshkruhet qeverisja e Gruevskit. Është pjesë e artikullit “Si demokracia u bë armik” botuar në New York Times të autorit Roger Cohen dhe përshkruan zgjedhjet në Hungari.
Një vend i Bashkimit Evropian, madje dhe i rëndësishëm.
Vetëm para pak ditësh atje zgjedhjet i fitoi për herë të tretë Viktor Orban. Me retorikën e përshkruar ai fitoi shumicë absolute dhe po shndërrohet në “tmerrin” e Evropës, pas Brexit sepse që tani ka thënë se fitorja e madhe i ka dhënë mandat për të ndryshuar një sërë ligjesh dhe kushtetutën që do të ketë në shënjestër shoqërinë civile. Kryeministri që ishte nën kritika të vazhdueshme për zvogëlimin e lirive dhe të drejtave, tani mund të bëhet edhe më i keq.
Zhvillim i pa besueshëm për shumë vëzhgues. Pyetja e madhe që bëhet është se si ka mundësi që një vend që vinte nga diktatura, ajo komuniste të lejojë rikthimin e prirjes autoritare.
Si u arrit një gjë e tillë?
Një shpjegim që mund të jepet është se për pushtet bëj ç’të mundesh. Cohen thotë se Orban shkoi aq larg sa bëri armik edhe Perëndimin dhe citon Orban: “Rreziku na vjen nga Perëndimi. Ky rrezik na vjen nga politikanët nga Brukseli, Berlini dhe Parisi”, këtë kishte deklaruar kryeministri hungarez në shkurt të këtij viti. Po, pa asnjë fije dyshimi se po armiqësohet me aleatët, dhe pa frikën se çfarë pasojash mund të ketë. Këto zhvillime janë disi të frikshme, nëse nuk ka kujdes konstant për demokracinë.
Sa do që e pa njohur të duket dhe e largët Hungaria, megjithatë bëhet fjalë për një vend me ekonomi më stabile, me një qëndrueshmëri më të madhe, por me sa duket nuk përjashtohet lindja e autoritarëve të cilët si në të gjitha rastet bëjnë çdo gjë që të mbajnë pushtetin.
Maqedonia vetë kaloi një dhjetëvjeçar të vështirë që pikërisht përdorte metodat e listës së përmendur më sipër për të mbajtur pushtetin. Leksioni është i qartë, kujdes nga liderë dhe politika që duan me çdo kusht të sundojnë. Dhe alarmi duhet të jetë vazhdimisht i ngritur, se manipulimet mund të jenë edhe më të mëdha nga ata që duan pushtet me çdo kusht kur papunësia është edhe më e madhe, kur kushtet e jetesës janë më të këqija, sepse premtimet që jepen janë më naive. Njerëzit mund ta “hanë” më lehtë karremin e autoritarizmit në këmbim të kërkesave bazike për një jetë më të mirë.
Në kohën që jetojmë duket se është e vështirë të krijohen diktatura si ato komunistet, por hibridi që disi dhe ne jetuam është se megjithatë vetëm një parti ka kontroll mbi gjithçka, surfohet në valët e demokracisë por ajo nuk është e plotë. “Nuk ka polici totalitare. Asnjë nuk zhduket natën pa gjurmë. Kapitali i huaj është i mirëseardhur. Por Hungaria (apo çfarë do vendi tjetër që ka këtë model) nuk është vend i pa lirë, por as i lirë plotësisht”, kështu e përshkruan Cohen Hungarinë. S’ka nevojë të theksoj ngjashmërinë edhe një herë. Por ideja është se nga Evropa mund të vinë prirje të ndryshme.
Kujdesi duhet të jetë konstant, sepse demokracia nuk është thjesht një leksion i mësuar mirë ose përmendësh, por është një detyrim për kujdes të vazhdueshëm. Dhe gjithçka na përplas tek edukimi. Niveli shqetësues i arsimit sjell terren fantastik për mbjelljen e farës autoritare. Terren edhe ashtu i favorshëm për fenomene të tilla duke marrë parasysh të kaluarën.
Nga ana tjetër nëse, marrim parasysh shembullin e Hungarisë, elita e atjeshme vendin e konsideronin se gjatë periudhës komuniste ai ishte rrëmbyer drejt perëndimit. Me rënien e komunizmit ai iu kthye vlerave ku përkiste. Por siç duket vetëm pak duhet që mendësitë e njerëzve të lëkunden.
Imagjinoni tani shoqëritë tona, pa një të kaluar të thellë në kulturën evropiane, ende me mbamendje nga logjika e ushtrimit të pushtetit në periudhën komuniste se çfarë mund të ndodhë (siç edhe ndodhi) nëse vinë pushtete që mund të lëkundin prirjet e shoqërisë tonë. Në raste të tilla mund të thuhej se kur digjesh nga qumështi i fryn kosit. Por, ne që s’kemi as qumësht e kos edhe më pak, alarmi dhe kujdesi duhet të jetë marramendës. Diçka që elitat tona politike, por dhe shoqëria as që e mendon.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)