Bujku francez Cedric Herrou, është arrestuar pasi është dënuar nga një gjykatë se ka ndihmuar të kalojnë ilegalisht refugjatët nga Italia drejt Francës dhe i ka ndihmuar ata duke i strehuar. Avokati i Herrou, Ziya Oloumi, ka thënë për mediat vendase se Herrou është arrestuar dje në darkë në shtëpinë e tij dhe se ende nuk e dinë arsyen e arrestimit, por se ajo mund të ketë ardhur si pasojë e akuzave të ngjashme. Herrou banon në rajonin Roya i cili ndodhet në një nga pikat e kalimit mes Francës dhe Italisë. Akuzat dhe çështja gjyqësore ndaj tij se ka ndihmuar dhe strehuar refugjatët sollën reagime të mëdha në opinionin francez. Gjatë pjesëmarrjes në një nga proceset gjyqësore Herrou i cili është një prodhues vezësh dhe ullinjsh, më 4 janar ishte shprehur: “Mua po më dënoni, por problemi vazhdon”. Ai u akuzua se ka ndihmuar 50 refugjatë nga eritreja duke i vendosur ata në një godinë të vjetër të hekurudhës në këtë rajon. Vendimi përfundimtar në lidhje me këtë çështje pritet të përfundojë më 10 shkurt. Gjatë vitit të kaluar në kufirin Itali-Francë janë kapur rreth 35 mijë refugjatë, në tentativë për të kaluar kufirin.