Urim HASIPI
Tetovë, 14 shtator – Drejtuesit e Sektorit për arsim në Komunën e Tetovës, thonë se çështja e shkollës fillore “Rilindja” në fshatin Sellcë, është një rast kompleks, sepse është një nga projektet që ka filluar në vitin 2000 dhe për shkak të paqëndrueshmërisë së tokës projekti është ndërprerë. Sipas tyre, në anën tjetër, nxënësit janë duke mësuar në një objekt shkollor që është shumë i vjetër, diku rreth 70 vite, shkruan gazeta KOHA.
“Duke pasur parasysh këtë situatë, ne kemi punuar në dy drejtime. E para në bashkëpunim me këshillin vendor, në bashkëpunim me fshatin dhe iniciuesit nga vendi, duke pasur parasysh kërkesat e tyre, kemi kërkuar që të propozojnë ndonjë vend tjetër ku mund të bëjmë ndërtimin e një shkolle , një godine të re shkollore, për këtë edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës gjithmonë është treguar se fondet janë në shfrytëzim dhe mund të destinohen për ndërtimin e një godine të re shkollore, por atje përballemi me një tokë të rrëshqitshme erozive dhe analizat gjeologjike, të cilat janë bërë për propozimet të cilat na u dhanë për ndërtimin e një godine të re shkollore kanë treguar se toka është e rrëshqitshme dhe është jostabile domethënë edhe atë në disa pjesë të fshatit dhe nuk mund të mbajë një godinë shkollore”, deklaroi udhëheqësi i Sektorit për arsim në Komunën e Tetovës, Ahmed Qazimi.
Ai më tej nënvizoi se punohet në përmirësimin e kushteve në objektin ekzistues. “Ne përsëri kemi kërkuar që të shihen edhe alternativa të ndryshme që të mund të bëhet një ndërtim i një godine shkollore, mirëpo deri më tani matjet gjeologjike të tokës tregojnë që ndërtimi i një godine shkollore në vendet të cilat janë propozuar nga ana e bashkësisë lokale toka është e paqëndrueshme. Pikërisht për këtë ne jemi fokusuar në ndryshimin e kushteve dhe përmirësimin e kushteve në objektin ekzistues. Objekti është shumë i vjetër, mirëpo me përmirësimin e kushteve të punës në këtë objekt shkollor dhe tani po punojmë paralelisht edhe në përmirësimin e kushteve në objektin ekzistues shkollor po ashtu edhe në kërkim të lokacionit që do të mund të jetë i qëndrueshëm”, tha drejtuesi i Departamentit të arsimit në Komunën e Tetovës.
Problem në vete është se toka ku është shkolla e vjetër, tashmë nuk është pronë shtetërore dhe e njëjta është privatizuar. “Kemi kërkuar prej tyre që të na jepet një propozim tjetër për një tokë tjetër , apo që të mund të bëhet në vendin ekzistues një objekt i ri shkollor. Besoj se do të gjendet ndonjë solucion ose në objektin ekzistues të behët mbindërtim apo diçka tjetër, mirëpo edhe kjo toke ku është objekti ekzistues i shkollës së vjetër, nuk është tokë shtetërore, është e privatizuar dhe tani po përballemi edhe me një situatë të këtillë juridike”, u shpreh Qazimi. Objekti i shkollës ekzistuese është ndërtuar në vitin 1952. Në vitin 2000 filloi ndërtimi i shkollës së re në fshatin Sellcë të Tetovës, por ajo shkollë tashmë është amortizuar si pasojë e erozionit të tokës dhe mos përfundimit të punëve, ndërsa objekti ka ngelur në gjysmë-ndërtim dhe tashmë nuk shërben për asgjë, edhe pse ka kushtuar rreth 400 mijë euro. Në këtë shkollë mësojnë më shumë se 300 nxënës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.