Poashtu, krahas kësaj edhe prindërit kanë qasje në programet edukative se si të punojnë me fëmijët në shtëpitë e tyre
Urim HASIPI
Tetovë, 15 tetor – Pas shumë paralajmërimeve për hapjen edhe të një qendre për zhvillim të hershëm të fëmijëve në fshatrat e Malësisë së Tetovës, më në fund një e tillë është hapur edhe në fshatin Lisec të Komunës së Tetovës. Lajmi është bërë i ditur nga kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila ka theksuar se e njejta do të jetë për grupmoshat prej tre deri në moshën 5-vjeçare. “Malësia e Sharrit pasurohet edhe me një Qendër për zhvillim të hershëm të fëmijëve. Në fshatin Lisec përfundoi ambientimi i çerdhes, ku do të mund të ndjekin procesin edukativ fëmijet e grupmoshës 3-5 vjeçare”, tha Teuta Arifi.
Qendra për zhvillim të hershëm fëmijëror në fillim ishte hapur në fshatin Sellcë para 5 viteve, ku mundësohet që fëmijët disa orë gjatë ditës të ndjekin program të organizuar për mësim të hershëm dhe kjo është një parapërgatitje për ata që kur të fillojnë procesin mësimor në shkollë, të kenë shumë njohuri elementare për moshën që kanë. Poashtu, krahas kësaj edhe prindërit kanë qasje në programet edukative se si të punojnë me fëmijët në shtëpitë e tyre. Ndërkohë, krahas fshatrave Shipkovicë , Sellcë dhe Lisec, tani edhe fshatrat Gajre dhe Brodec të Malësisë së Tetovës do të kenë qendrat e tyre për zhvillim të hershëm fëmijëror. Kjo është vendosur në njërën nga seancat e këshillit të Komunës së Tetovës në këtë fillimvit. Nga Sektori për arsim thonë se këto qendra do të funksionojnë në kuadër të Çerdhes së Tetovës. “Në këtë formë qendrat për zhvillim të hershëm do të vazhdojnë të funksionojnë në suaza të Çerdhes së Tetovës së bashku edhe me qendrat tjera për zhvillim të hershëm të fëmijëve, dhe kjo nënkupton se në këto qendra mund të regjistrohen fëmijët nga mosha tre deri në moshën pesë vjeçare”, thonë nga Sektori për arsim në Komunën e Tetovës.
Ndërkaq, Ahmet Qazimi, udhëheqës i Sektorit për veprimtari publike pohon se edhe në të ardhmen do të hapen qendra të këtilla në vendet rurale, me qëllim që asnjë fshat të mos mbetet pa një qendër të këtillë, e cila e luan rolin edhe të kopshteve për fëmijë. “Me hapjen e këtyre qendrave, prindërit nga vendet rurale nuk do të sjellin fëmijët deri në Tetovë, por do t`i dërgojnë në qendrat në vendbanimet e tyre. Tashmë synimi ynë po realizohet për zhvillimin e hershëm të fëmijëve parashkollorë, ku funksionojnë paralelet në Sellcë, Lisec dhe Shipkovicë”, deklaroi Ahmet Qazimi për gazetën Koha.
Paralelet për zhvillim të hershëm kanë dhënë rezultate të volitshme për sa i përket zhvillimit të fëmijëve, ndërsa fillimisht u hapën nga ana e UNICEF-it dhe disa shoqatave joqeveritare, kurse tashmë katër vite janë në menaxhim të Komunës së Tetovës, respektivisht Çerdhes për fëmijë. (koha.mk)