Te Milani ndihen të sulmuar. Në fillim për faktin se drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, del në tv dhe “masakron” me akuzat e tij, duke konsideruar fitoren e Milanit si të “vjedhur” dhe kërkuar me zë të lartë penalltinë në favor të Lazios, në fund, në dëm të Milinkovic-Savic. Një episod që u pa në VAR falë “silent check”, që do të thotë arbitri kryesor pret udhëzime dhe në përsëritje nëse lojtari i Milanit ka prekur topin përpara ose jo.
Dhe, pasi u konsultua nga kolegët, kryesori Roçhi vendosi për jo penallti, pasi Rodriguez devijoi topin me majën e këpucës dhe si pasojë i ndërroi trajektoren duke mos ia lënë në zotërim lojtarin të Lazios. Sa i përket penalltisë së Milanit, asnjë dyshim: ndërhyrje e gabuar e Durmisit, që pengoi Musaçhios për të kontrolluar topin.
Por, sikur të mos mjaftonin akuzat e Lazios, por edhe disa batuta aspak të mira të presidentit të Torinos, Urbano Cairo, që më pas është tërhequr, edhe politika ka ndërhyrë, duke komentuar episodin Kessie-Bakayoko me fanellën e Acerbit të ekspozuar poshtë “Curva Sud”.
Sipas politikës, ishte veprim i gabuar dhe që ngjallte indinjatë në sport, ndaj të dy duheshin dënuar. Tani, edhe federata italiane e futbollit, FIGC, reagon në sajë të Gabriele Gravinës, presidentit të saj: “Ajo që ndodhi në “San Siro” është një mungesë respekti dhe, ashtu si ka thënë nënsekretari Giorgetti, i padenjë, që duhet dënuar, denoncuar dhe vlerësuar sipas shkeljeve të normave dhe principeve etike të botës tonë”.
“Ka pasur pickime në rrjetet sociale dhe, siç ka thënë Gattuso, duhet më pak social dhe më shumë punë. Duke i dhënë fanellën dhe shtrënguar duart, u duk sikur kjo polemikë do të mbyllej. Por, ekspozimi i fanellës ishte një reagim antipatik që duhet të parandalojmë”.
Milani është shtangur nga ky reagim i kreut të federatës, pasi nuk e priste. Kuqezinjtë vërtet gabuan, por kërkuan ndjesë dhe madje u sqaruan edhe me futbollistin. Një skualifikim në këtë fazë të nxehtë të kampionatit do të dukej si dashakeqe.